Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haskuka e Totaj tregojnë se cilat parti janë duke i mbështetur ata në garën e balotazhit

Kandidatët në balotazh për Prizrenin, të ftuar në Debat Pernime kanë treguar se më cilat parti kanë arritur marrëveshje.

Të dyja partitë kanë thënë se tashmë kanë marrë mbështetje nga partitë të cilat nuk kanë arritur të marrin shumicën e votave në Prizren.

Shaqir Totaj nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se deri më tash kanë nënshkruar dy marrëveshje për koalicione ndërsa janë në bisedime edhe me partitë e tjera.

“Ne kemi zyrtarizuar dy koalicione me NISMA-në dhe me AAK-në. Jemi në bisedime edhe me partitë tjera. Nuk i kemi ndarë drejtoritë. Jemi marrë vesh që së pari të fitojmë dhe më pas t’i ndajmë drejtoritë”, është shprehur Totaj.

Edhe Mytaher Haskuka nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se kanë marrë mbështetje nga partitë e komuniteteve ndërsa po presin mbështetje edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, pasi sipas tij, neutraliteti i kësaj partie deri më tash është shumë i rëndësishëm për Vetëvendosjen.

“Me 12 asamblistë është shumë më lehtë. I kemi partitë e komuniteteve. Të gjithë partitë minoritare janë duke mbështetur qeverisjen time, nuk kemi ndonjë marrëveshje të nënshkruar. I kemi diku 18 asamblistë. Me LDK të cilët janë neutralë do të bisedojmë pas rezultateve do të mund të kemi një marrëveshje për bashkëqeverisje për disa çështje. Do të bazohemi në program qeverisës. Besoj se do të jetë e mjaftueshme. Kemi biseduar në telefon dhe jemi takuar në një manifestim së bashku ku kemi qenë të tre në Zym. Do të kemi nevojë për LDK-në në asamble dhe qëndrimi i tyre neutral është shumë i rëndësishëm për neve”, ka deklaruar Haskuka.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Prizrenit, diskutojnë në #DebatPernime për balotazhin e 14 nëntorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Prizren: Mytaher Haskuka nga Lëvizja vetëvendosje (LVV) dhe Shaqir Totaj nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 17 tetor në Prizren, kandidati i LVV-së Mytaher Haskuka ka marrë 40,41% të votave, kurse Shaqir Totaj nga PDK-ja ka siguruar 31,36 %.