FOTO: Hashim Thaçi/Twitter

Hashim Thaçi i heq nga makina tabelat e Republikës përdor targa KS

Dymbëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova nuk ka unifikuar targat e automjeteve. Përveç targave “RKS”, në vend, legalisht përdoren edhe ato “KS”, të cilat përdoreshin para shpalljes së pavarësisë.

E targa të tilla u panë sot, në veturën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi sot pas vizitës Batalionin e Mjekësisë në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Vetura me të cilën u largu Thaçi pati targa të regjistrimit me shenjën KS.

Megjithëse Kosova dhe Serbia, janë pajtuar në Bruksel për lejimin e lëvizjes së lirë të automjeteve me targa të dy shteteve, kosovarët që shkojnë apo kalojnë transit nëpër Serbi, janë të detyruar të mbulojnë targat “RKS” dhe të pajisen me targa “prova”. Kjo ka bërë që shumë kosovarë të heqin targat “RKS” dhe të pajisen përsëri me ato “KS”.

Marrëveshja e Brukselit e vitit 2011, parasheh që të gjithë pronarët e automjeteve, të cilët jetojnë në Kosovë, duhet të shfrytëzojnë targat e regjistrimit me shenjën KS ose RKS dhe në këtë mënyrë të hiqen nga përdorimi tabelat e lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, me shenjat: PR (Prishtina), KM (Mitrovica), UR (Ferizaj), PZ (Prizren) dhe GL (Gjilan), të cilat për autoritetet e Kosovës janë jolegale.

Marrëveshja e re për tabelat e regjistrimit, e vitit 2016, përveç heqjes së tabelave serbe të regjistrimit, parasheh edhe shfuqizimin e “tabelave provuese”, të cilat Serbia i jep për automjetet me tabela të Kosovës dhe që qarkullojnë në Serbi. Marrëveshja e re parasheh që simbolet shtetërore që gjenden në tabela të regjistrimit të mbulohen.

Kjo pjesë e marrëveshjes ende nuk është duke u zbatuar.