Foto: Hashim Thaçi/Facebook

Hashim Thaçi e Vlora Çitaku bashkë pas skandalit me 'njohjen' nga Xhamajka

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është fotografuar së bashku me ambasadoren e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku, disa ditë pas skandalit për ‘njohjen’ e Pavarësisë së Kosovës nga shteti i Xhamajkës.

Gjatë udhëtimit të tij në ShBA, presidenti Thaçi është takuar në një darkë pune me të dërguarin e Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Mat Palmer, me zëvendëspresidentin ekzekutiv të Atlantic Council, Damon Wilson, me përfaqësues nga Senati, Kongresi dhe nga institucionet qeveritare në Washington.

Thaçi ka treguar se me të njëjtit ka biseduar për mundësitë e arritjes së një marrëveshje finale me Serbinë, e cila do të sjellë njohje reciproke dhe anëtarësim të Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Më 20 shkurt, presidenti Hashim Thaçi kishte njoftuar se Kosova është njohur nga Xhamajka.

Të nesërmen, këtë lajm e kishte demantuar ministrja e Punëve të Jashtme të Xhamajkës.

Kamina Smith, ministrja e Jashtme e Xhamajkës, kishte reaguar në Twitter duke thënë se vendi i saj nuk e ka njohur Kosovën.

“Deri më sot, Xhamajka nuk e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur”, shkroi ajo duke iu përgjigjur presidentit Hashim Thaçi.

Pas këtij skandali ka pasur reagime të shumta.

Ministri i Jashtëm dhe Diasporës, Glauk Konjufca me anë të një njoftimi kishte treguar se janë duke biseduar me Ambasadën e Kosovës në ShBA për të sqaruar situatën e krijuar.

Ai tutje tha edhe se lajmin për njohjen e ka marrë përmes postës elektronike nga Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku.

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli ka kërkuar shkarkimin e Ambasadores së Kosovës në SHBA , Vlora Çitakut, nëse lajmi se shteti i Xhamajkës nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës del të jetë i vërtetë.

Dy ditë më vonë, pas lajmit të dhënë për njohjen e Xhamajkës, kishte folur edhe ambasadorja Çitaku.

Ajo në një shkrim në Facebook ka reaguar ndaj kritikave që i janë bërë nga Zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi. Megjithatë ajo akoma nuk ka sqaruar se çfarë ka ndodhur me njohjen nga Xhamajka.