Hashim Thaçi: Deklarimi im për vendimin e Qeverisë nuk ka pasur pasoja

Presidenti Hashim Thaçi e ka komentuar deklarimin e tij që e kishte dhënë në natën kur Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që të kufizojë lëvizjet e qytetarëve për shkak të pandemisë së coronavirusit.

Në intervistën dhënë për Televizionin 7, Thaçi tha se deklarimi i tij ka qenë informativ dhe deklaroi se nuk ka pasur asnjë pasojë.

“Unë kam informuar. Deklarimi im është informim për qytetarët për një vendim antikushtetues, që i cenonte të drejtat e njeriut, gjë që e konfirmoi dhe Gjykata Kushtetuese. Ai është një deklarim pa pasojë dhe unë kam ftuar çdo ditë që të rrinë në shtëpi, të mos krijojnë panik dhe frikë”, tha Thaçi.

Në natën që Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që të shpallte orë policore që kufizonte lëvizjen e qytetarëve dhe automjeteve, presidenti Thaçi përmes një konference për media kishte deklaruar se vendimi i Qeverisë është antikushtetues dhe se qytetarët nuk janë të obliguar ta respektojnë.

Thaçi kishte deklaruar se Policia e Kosovës nuk mund t’i pengonte qytetarët pasi që do të shkelte Kushtetutën.

Në lidhje me këtë deklarim, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë kallëzim penal ndaj presidentit në Gjykatë për thirrje për mosrespektim të vendimit të Qeverisë.

Po ashtu, Lëvizja Vetëvendosje e ka dërguar edhe në Gjykatën Kushtetuese.