Foto: REL/ official publication

Hasani: Kurti mund të jetë kryeministër, por jo deputet

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të publikuar të mërkurën, nuk do të ketë të drejtë të garojë për deputet në zgjedhjet e reja, tha ish-kryetari i Kushtetueses, Enver Hasani.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Hasani tha se aktgjykimi e ka qartësuar se të gjithë personat e dënuar me gjykim të formës së prerë në tre vjetët e fundit, nuk kanë të drejtë të kandidojnë për deputetë dhe të marrin mandat nga Kuvendi i Kosovës.

“Nuk ka të drejtë, është e qartë ajo që e ka thënë Gjykata Kushtetuese”, tha Hasani.

Megjithatë, ai shtoi se Kurti mund të nominohet për postin e kryeministrit, nëse partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, i fiton zgjedhjet.

“Ajo nuk ka lidhje (me kandidimin për deputet). Mundet, Gjykata nuk e ka ndaluar këtë (nominimin për kryeministër)”, tha Hasani.

Çështja e kandidimit të Kurtit në zgjedhjet e ardhshme është aktualizuar pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin lidhur me zgjedhjen jokushtetuese të Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti, për shkak të votës së Etem Arifit.

Arifi, kur ka votuar për Qeverinë e Hotit, ka qënë i dënuar me vendim të formës së prerë – prej më shumë se një viti burgim – për veprën penale “mashtrim me subvencione”.

Më 3 janar, 2018, deputetët e atëhershëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi janë dënuar me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Në shtator të po atij viti, Gjykata e Apelit i ka vërtetuar dënimet e shqiptuara nga gjykata e shkallës së parë.

Kushtetuesja e ka rrëzuar Qeverinë Hoti duke thënë se një person i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit, “nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të ketë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Kosovës”.

Meqenëse Qeveria zgjidhet me votat e deputetëve në Kuvend, Hasani tha se në bazë të konstatimit të Gjykatës Kushtetuese, zgjedhja eventuale e Kurtit për kryeministër po ashtu mund të kontestohet.

Sipas Hasanit, Gjykata Kushtetuese, në këtë rast, nuk e ka trajtuar çështjen e zgjedhjes së kryeministrit, por të mandatit të deputetit./REL