Shtylla elektrike në rrugë në Sllatinë të Madhe, Foto: KALLXO.com

‘Harrohet’ në mes të rrugës shtylla elektrike në Sllatinë të Madhe

Rreth gjashtë muaj më parë rruga “Përroi” në Sllatinë të Madhe u zgjerua për nevojat e banorëve, mirëpo një shtyllë elektrike u “harrua” në rrugë.

Banorët që jetojnë në rrugën “Përroi” në Sllatinë të Madhe të Fushë Kosovës kanë thënë se shtylla elektrike po u sjell rreziqe.

“Kjo shtyllë këtu në rrugë është prej verës qashtu, paraqet rrezik, së pari me pa nuk është mirë me pa kështu, në rrugë po edhe paraqet rrezik, kur po vijnë dy vetura për shembull”, thotë Basri Jashanica banor i fshatit Sllatinë e Madhe.

Ai thotë se pret që ajo të hiqet, qoftë nga komuna qoftë nga KEDS-i.

Për shkak të shtyllës elektrike, banorët thonë se janë shkaktuar edhe aksidente në këtë rrugë.

Ilaz Krasniqi nga fshati Sllatinë e Madhe ka kërkuar që kjo shtyllë që po u pengon në lëvizje të hiqet sa më parë.

“Problemi është se unë kam qenë vetë prezent kur kanë ndodhur aksidente, shkaku i kësaj shtylle dhe kthesës. Kanë gabuar që se kanë heq, këtu afër është shkolla e po rrezikohen edhe nxënësit”, thotë ai.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Ali Topalli nga zyra për media e Komunës së Fushë Kosovës ka thënë se kanë kërkuar nga KEDS që të hiqet shtylla elektrike, por nuk kanë marrë asnjëherë përgjigje pozitive.

“Ne i kemi pritur në afatet e përcaktuara dhe afate të lejuara, por KEDS-i nuk na janë përgjigjur. Ka qenë e detyrueshme nga ana jonë që ta shtrojmë këtë rrugë”, tha ai.

Ndërsa, nga KEDS kanë thënë se komuna është e obliguar që ta bëjnë dislokimin.

“Asnjë shtyllë e KEDS-it nuk është e vendosur në mes të rrugës. KEDS nuk vendos shtylla në këtë mënyrë. Këtu është zgjeruar rruga dhe komuna përkatëse është dashur të bëjë dislokimin e shtyllës”, ka thënë zëdhënësi i KEDS, Viktor Buzhala.

“Në bazë të ligjit dislokimin duhet ta bëjë pala kërkuese nëse ndryshon destinimin e vendit. Rrezikimin e banorëve nuk e ka bërë KEDS por kush e ka zgjerua rrugën pa bë kërkesë për dislokim”, ka thënë ai.

VIDEO

Shtylla elektrike në rrugë në Sllatinë të Madhe, Foto: KALLXO.com