Harrohen çmimet e qirave pas faturave të energjisë

Mehmet Bogdayt sa nuk i ka rënë pika kur e ka parë faturën e rrymës.

Çmimi i saj ka qenë më i lartë sesa qiraja që paguan për restorantin e tij në Stamboll, në të cilin shet petë turke.

Fatura ka qenë, po ashtu, një herë më e lartë sesa ajo e muajit të kaluar.

“Kjo është e paqëndrueshme”, ka thënë Bogdav, i cili udhëheq restorantin “Asmali Mescit Durumcusu”.

“Nëse vazhdon kështu, neve do ta na duhet ta largojmë një pjesë të stafit. Nëse vazhdon kështu, ne nuk do të mund ta bëjmë këtë punë. Ose do të zvogëlohemi, ose do të mbyllemi e të rrimë tërë ditën në shtëpi”.

Rritja e çmimeve të energjisë është duke shtrenjtuar faturat nga Polonia e deri të Mbretëria e Bashkuar, duke ua vështirësuar njerëzve përmbylljen e muajit.

Bizneset, po ashtu, hamenden sa gjatë mund të punojnë në këto kushte.

Qeveritë përreth Evropës janë duke tentuar të miratojnë sa më shpejt ndihma për të lehtësuar krizën me çmime të energjisë, ndërkohë që edhe inflacioni ka prekur nivele rekorde.

Kjo situatë nuk është ndier askund më shumë sesa në Turqi, ku inflacioni është rritur për gati 50 për qind dhe pagesat e rrymës janë duke nxitur protesta dhe shqetësime si mund të funksionojnë bizneset sikurse ai i Bogdayt.

Protestat për rritjen e çmimeve të rrymës kanë shpërthyer në gjithë Turqinë këtë javë, duke përfshirë edhe ato ku policia ka hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat.

Njerëzit janë duke postuar fotografi të faturave të rrymës në rrjetet sociale duke treguar se shpenzimet janë të papërballueshme.

Pronarët e dyqaneve janë duke vendosur njoftime nëpër xhamat e dyqaneve duke u ankuar për çmime, derisa të tjerë janë mbledhur jashtë kompanive të rrymës dhe ua kanë vënë flakën faturave.

Sikurse në pjesën tjetër të Evropës, prodhimi i rrymës në Turqi kërkon burime, çmimi i të cilave është rritur, përfshirë edhe gazin natyror.

Një zhvlerësim i madh i valutës turke është duke ndikuar gjithashtu në rritjen e çmimit të gazit të importuar.

Nevoja për energji është rritur sërish pas vitit të parë të pandemisë, mirëpo rezerva nuk ka pasur për shkak të dimrit të ftohtë vitin e kaluar dhe mungesës së pajisjeve për energji të ripërtërishme.

Rusia, po ashtu, nuk është duke shitur gaz sa ka nevojë Evropa.

Shërbimet komunale po u barten konsumatorëve dhe kështu njerëzit po goditen dyfish: me fatura më të larta në shtëpi dhe me rritje të çmimeve nga bizneset që paguajnë më shumë për energji.

Kjo gjë ka ndikuar me rritje të çmimeve në disa vende, sidomos në Turqi ku ekonomitë familjare dhe bizneset janë përballur me inflacion të lartë dhe ku valuta është zhvlerësuar për gati 44 për qind vitin e kaluar.

Autoritetet i kanë rritur tarifat për rrymë më 1 janar, për gati 50 për qind për shumë njerëz dhe 127 për qind për bizneset dhe ekonomitë familjare që shpenzojnë më shumë.

Lideri i partisë kryesore opozitare u është bashkuar këtë javë kërkesave për të anuluar rritjen e çmimit të energjisë, duke thënë se nuk do t’i paguajë faturat derisa të ulen çmimet.

Kemal Kilicdaroglu ka bërë thirrje edhe për ulje të taksave në tarifat e energjisë elektrike.

I përballur me kritika në rritje, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka bërë ndryshime këtë muaj, përmes vendimeve që prekin ekonomitë familjare që harxhojnë më shumë rrymë.

Duke pasur njohuri që këto rritje çmimesh mund ta dëmtojnë presidentin turk në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, administrata e Erdoganit ka thënë se është duke punuar për ndryshime shtesë.

Kjo është deklaratë që është bërë edhe nga qeveri tjera në Evropë, ndërkohë që rriten çmimet e shumë produkteve.

Në Britani, çmimet e energjisë janë rritur në një rekord prej 54 për qind – rreth 940 dollarë në vit – duke nisur nga muaji prill.

Qeveria ka thënë se konsumatorët do të përfitojnë zbritje nga ndarja e faturave në këste të vogla dhe disa para do t’iu kthehen qytetarëve nga taksat lokale.

Në total, sipas Qeverisë britanike, shumicës së njerëzve do t’iu kthehet një pjesë e mirë e parave.

Ngjashëm, ekonomitë familjare në Itali do të përballen me një rritje rekorde prej 55 për qind të çmimit të rrymës dhe 42 për qind të gazit në javët e ardhshme, ka thënë rregullatori i energjisë.

Ky lajm ka ardhur pas rritjes së çmimit të energjisë në muajin tetor.

Për të rritur edhe më shumë vëmendjen në këtë çështje, kryetarët e Romës dhe Firencës kanë lënë në errësirë zonat historike të këtyre qyteteve të enjten në mbrëmje.

Asociacioni i kryetarëve të Italisë ka thënë se përgjigja qeveritare ka qenë e pamjaftueshme për t’iu ndihmuar qindra miliona qytetarëve të përballen me kosto shtesë, duke i bërë të vendosin mes balancimit të buxhetit apo ndaljes së shërbimeve.

Kryeministri italian, Mario Draghi, ka thënë këtë javë se Qeveria italiane është e përkushtuar për të hartuar masa të reja në ditët në vijim, të cilat ofrojnë lehtësi “për familjet dhe bizneset që përballen me vështirësi për shkak të rritjes së faturave të energjisë”.

Rregullatorët polakë kanë miratuar vendimin që çmimet e energjisë të rriten për 37 për qind këtë vit, duke shtyrë disa bukatore dhe biznese tjera që të mbyllen.

Qeveria e krahut të djathtë ka ulur përkohësisht taksat në rrymë, gaz, karburante, në disa produkte ushqimore dhe plehra.

Ky vendim pritet të ndikojë në uljen e çmimeve të energjisë së një familjeje me katër anëtarë për 26.5 euro këtë vit.

Ky vendim kompenson vetëm një pjesë të rritjes, andaj Qeveria ka prezantuar edhe një bonus tjetër për familjet që shkon deri në 320 euro në vit, varësisht nga të hyrat.

Bizneset kanë thënë se këto vendime nuk janë të mjaftueshme për të balancuar rritjen e shpenzimeve.

Në Turqi, kriza me çmime të energjisë është rritur edhe si pasojë e politikave të presidentit.

Erdogan ka shmangur idetë konvencionale ekonomike dhe u ka bërë presion bankave që të ulin normat e interesit, pavarësisht inflacionit më të lartë në 20 vjetët e fundit.

Numan Kurtulmus, zëvendës i partisë së Erdoganit, ka thënë se mbështetja qeveritare për energji e ka rënduar shumë thesarin e shtetit, duke e bërë të pashmangshme rritjen e çmimit të faturave.

“Ne jemi të vetëdijshëm se çmimi i faturës është i lartë”, ka thënë ai, duke shtuar se Qeveria është duke punuar për të ulur poshtë inflacionin.

Kazim Iscen, piktor në Ankara, ka thënë se nuk do të ketë mundësi të paguajë faturat e energjisë që i kanë ardhur “dy apo tri herë më të larta” këtë muaj.

“I bëj thirrje Qeverisë që të ketë mëshirë te ne”.

Cengiz Sur, pronar i një restoranti në Stamboll, ka thënë se ka hequr nga rryma frigoriferët, ngrohjet, dhe ka ndalur dritat pasi fatura e rrymës e ka tejkaluar qiranë.

“Ne e kemi harruar qiranë dhe po tentojmë të gjejmë zgjidhje për faturat e rrymës”, ka thënë ai.

Bendevi Palandoken, udhëheqës i Konfederatës së Tregtarëve dhe Artizanëve të Turqisë, ka paralajmëruar shumë biznese do të mbyllen, përveç nëse anulohen çmimet me rritje dhe ofrohen tarifa speciale për t’iu ndihmuar bizneseve të vogla.

“Mendon se do të ketë ulje të çmimeve të energjisë”, ka thënë ekonomistja, Ozlem Derici Sengul, themeluese e Konsulencës Spinn, me bazë në Stamboll.

“Mendoj se për të ulur tensionin publik, ne mund të shohim veprime” nga zyrtarët qeveritarë, ka thënë mes tjerash ajo./REL