Kamala Harris në fjalimin e saj në Konventën Kombëtare Demokratike, më 22.08.2024, në Çikago. Foto: FB Kamala Harrisit

Harris synon votat e hispanikëve dhe afro-amerikanëve

Kur kanë mbetur pak javë prej ditës së zgjedhjeve presidenciale amerikane, Kamala Harris, ka shtuar përpjekjet për të siguruar sa më shumë vota të amerikanëve me prejardhje nga Amerika Latine dhe ata me ngjyrë, raporton BBC. Pavarësisht se po prin në mesin e këtyre grupeve, disa demokratë kanë paralajmëruar se zëvendëspresidentja duhet të angazhohet edhe më shumë me këto dy grupe votuesish për zgjedhjet e nëntorit.

Kjo po ndodh edhe për shkak të sondazheve që sugjerojnë se rivali republikan i Harrisit, ish-presidenti Donald Trump, po ka sukses në përpjekjen e tij për t’i bërë për vete votuesit latinë dhe me ngjyrë, si një vazhdimësi e suksesit të tij më 2016 dhe 2020.

Një anketim i kryer prej “New York Times” dhe Sienas ka treguar se përkrahja e Harrisit në mesin e votuesve me ngjyrë është 78 për qind krahasuar me 90 për qind që demokratët gëzonin në zgjedhjet e fundit, derisa konsiderohet se rënia ka ardhur si pasojë e ndryshimit të mendjes së votuesve burra.

Kjo mund të jetë qenësore për garën që duket se do të vendoset me një grusht votash. Dhe nëse të dhënat e anketimet vërtetohen në terren edhe në ditën e zgjedhjeve, atëherë mbështetja në mesin e votuesve me ngjyrë dhe hispanikë në shtete e lëkundura do të jetë thelbësore.

Në Arizonë, ta zëmë, pothuajse një në katër votues në 5 nëntor pritet të jetë hispanik, bashkë me 20 për qind në Nevadën fqinje. Në një tjetër shtet kyç, si Georgia, votuesit me ngjyrë përbëjnë 30 për qind të elektoratit të përgjithshëm. Janë vota që mund ta bëjnë dallimin në disa shtete kritike për fitoren e nivelit kombëtar.

Por çfarë i bënë këta votues të luhatur që të anojnë kah Trumpi?

BBC-ja vlerëson se ekonomia është faktori kryesor, sidomos inflacioni dhe kostoja e jetesës.

Kjo është arsyeja se pse shumë votues me ngjyrë dhe hispanikë kanë sugjeruar në sondazh se janë të pakënaqur me gjendjen aktuale të ekonomisë amerikane.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com