Harris para vendimit më të madh të garës për presidente

Zëvendëspresidentja amerikane. Kamala Harris, po e merr vendimin e saj më të madh të fushatës së saj presidenciale që e nisi dy javë e gjysmë më parë, derisa po e zgjedh bashkëgaruesin dhe po përgatitet që t’ua paraqesë demokratëve ofertën e saj shtetet kyç gjatë kësaj jave, shkruan televizioni amerikan, CNN.

Të dielën mbrëma nuk ishte e qartë pasi një dite me intervista me finalistët nëse kishte ndarë mendjen për vendimin përfundimtar, kanë thënë njerëz të afërt me rrjedhat brenda demokratëve, shkruan CNN. Fushata planifikon që ta publikojë zyrtarisht vendimin në një mesazh online drejtuar mbështetësve para tubimit të madh të së martës në Filadelfia, ku edhe pritet të shfaqet me bashkëgaruesin e saj. Një burim i informuar me rrjedhat e fushatës së Harrisit ka thënë se kandidatja potenciale demokrate pritet ta shtyjë sa më shumë vendimin para shfaqjes në këtë tubim me qëllim që ta peshojë më mirë përzgjedhjen e saj.

Trumpi në dilema

Shpallja e emrit të bashkëgaruesit do të sjellë një frymë të re në fushatën e saj, derisa Harris po mundohet të ruajë momentumin pas përfshirjes së saj në garën kundër kandidatit zyrtar të republikanëve, ish-presidentit Donald Trump, i cili, sipas CNN-it, po e ka të vështirë të gjejë një formulë suksesi për t’i dalë në ballë kandidates së re demorkate pas tërheqjes së presidentit aktual, Joe Biden, nga gara për një tjetër mandat.

Përzgjedhja sfiduese e bashkëgaruesit është zhvilluar deri në orët e vona të së dielës mbrëma me Harrisin që intervistoi kandidatët finalë; guvernatorin e Minnesotas, Tim Walz, guvernatorin e Pennsylvanias, Josh Shapiro, dhe senatorin e Arizonës, Mark Kelly – dhe ka nisur peshimin e vlerësimeve të saj larg syrit të opinionit publik.

Një fushatë e jashtëzakonshme për dhe kundër kandidatëve nisi të shtrihej në mbarë spektrin e Partisë Demokrate. Hisedarët të ndryshëm kanë shprehur argumentet e tyre se kush do të mund të ishte më i preferuar në mesin e votuesve kundrejt Trumpit – dhe kush do të mund të ndihmonte Harrisin të ruante frymën e lajmeve të mira që janë prodhuar në dy javët e fundit prej fushatës së zëvendëspresidentes aktuale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, derisa ish-presidenti Trump ishte detyruar të mbrohej për shkak të përzgjedhjes së kandidatit të tij për zëvendëspresident, senatorit të Ohios, JD Vance.

Ngritja e përkrahjes në sondazhe

Prejse Bideni i dha fund garës për rizgjedhje muajin e kaluar dhe mbështeti Harrisin, zëvendëspresidentja ka gëzuar përkrahjen e shumicës së figurave të larta të demokratëve dhe ka përmirësuar mbështetjen në sondazhe në garën presidenciale kundër Trumpit. Një sondazh i kryer nga CBS News/YouGov, i publikuar të dielën, ta zëmë, ka treguar se nuk ka epërsi të qartë ndërmjet Harrisit dhe Trumpit në mesin e votuesve të mundshëm në shkallë vendi – derisa Bideni kishte pesë pikë më pak në sondazhin e kryer nga CBS News/YouGov. Mesatarja e katër anketimeve të kryera nga CNN ka treguar se përplasje ndërmjet tyre është ngushtuar, me përkrahjen mesatare për Trumpin me 49 për qind dhe atë të Harrisit me 47 për qind.

Kandidatura e Harrisit u ka dhënë zemër demokratëve dhe ka kthyer mbështetjen e donatorëve, me fushatën e saj që deklaroi javën e kaluar se kishte mbledhur 310 milionë dollarë fonde në korrik, apo dyfish më shumë se fushata e Trumpit me 138.7 milionë dollarë. Dhe të premten, Komiteti Kombëtar i Demokratëve njoftoi se Harris kishte fituar përkrahjen e mjaftueshme për ta marrë mbështetjen përfundimtare partiake para votimit që zyrtarisht përfundon të hënën.

Gjatë javës bëhen katër vjet prejse Bideni kishte shpallur vendimin për ta zgjedhur Harrisin si bashkëgaruese. Ai do të njoftonte më 11 gusht 2020 nëpërmjet një teksti mesazhi dhe emaili dërguar përkrahësve. Harris shpreson se vendimin do ta bëjë në të njëjtën mënyrë, kanë thënë këshilltarët për CNN, me shpresë se do të hartojë një listë të madhe të mbështetësve në fushatë./CNN

 

 Përgatiti: Rexhep Maloku – KALLXO.com