Harris e zgjedh një ish-ushtarak për bashkëgarues
Kamala Harris ka vendosur që Tim Walz të jetë bashkëgarues i saj në zgjedhjet presidenciale amerikane që do të mbahen në nëntor, raporton BBC, duke iu referuar mediave amerikane. Waalz, guvernator i Minnesotas dhe ish-mësimdhënës, do të jetë kandidat për zëvendëspresident në fushatën e demokratëve kundrejt kandidatit republikan, Donald Trump.
Harris kishte intervistuar disa kandidatë të mundshëm në kryeqytetin amerikane në fundjavë dhe raportohet se tek sot paradite asaj i ishte mbushur mendja se cili ishte më i miri për ta shoqëruar atë në garën për Shtëpinë e Bardhë pas vendimit të presidentit Joe Biden që të mos kërkojë edhe një mandat pas debatit katastrofal të qershorit me Trumpin.
Vendimi Harrisit është publikuar në prag të fillimit të nisjes së një turneu të Harrisit në shtetet e pavendosura amerikane, duke nisur me tubimin në Philadelphia, ku do ta paraqesë Walzin si bashkëgarues.
Walz është një demokrat, i cili për dymbëdhjetë vjet kishte shërbyer në Kongres para se të merrte drejtimin e Minnesotas më 2018. BBC-ja vlerëson se është një politikan i regjur i mësuar me beteja të forta politike.
Ai kishte rrokur vëmendjen e madhe kombëtare për referencën e tij strategjike, duke i quajtur “të çuditshëm” Donald Trumpin dhe bashkëgaruesin e tij JD Vance. Fraza bëri bujë dhe nisi të përdorej nga demokratë të njohur, përfshirë edhe vetë Kamala Harrisin. I njohur si politikan që flet me gjuhë të shtruar dhe si njeri modest nga një qytet i vogël i Perëndimit të Mesëm amerikan, ai mund të fitojë zemrat e votuesve të pavarur konservatorë. 60-vjeçari i kishte prirë Minnesotas gjatë protestave të vitit 2020 pas vdekjes së George Floydit në Minneapolis. Ai kishte nxjerrë Gardën Kombëtare për të ndihmuar uljen e gjakrave pas shpërthimit të demonstratave. Walz kishte shërbyer më shumë se 20 vjet në Gardën Komvbëtare të Ushtrisë, kishte dhënë mësim në një shkollë të lartë, si dhe kishte punuar si trajner asistues i futbollit. Minnesota është shtet më pak i pavendosur në raport me përcaktimin zgjedhor, por do të jetë një aset i çmuar për Harrisin, shkruan BBC.
Përgatiti: Rexhep Maloku – KALLXO.com