Harris e Trump përballen sy më sy në testin e tyre më të madh

Debatet presidenciale kanë peshë të madhe në politikën amerikane. Dhe ai që do të zhvillohet sonte në mbrëmje – sipas kohës lokale amerikane – ndërmjet Kamala Harrisit dhe Donald Trumpit – e vetmja përballje e planifikuar kokë më kokë – mund të ketë vlerë më shumë se kurrë, vlerëson BBC në një analizë para debatit të kandidatëve të demokratëve dhe republikanëve për zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Përformanca e dobët e presidentit Joe Biden në debatin e parë në fundqershor krijoi një stuhi kritikash e presionesh brenda Partisë Demokratike që në fund e shtrënguan shefin e Shtëpisë së Bardhë të hiqte dorë prej garës për rizgjedhje.

Megjithëse Kamala Harris ka më shumë se tri vjet në postin e zëvendëspresidentes dhe kandidate për presidenti qe më shumë se shtatë javë, ende është një e panjohur relative për shumë amerikanë, shkruan BBC. Në një sondazh të kryer të fundmi nga gazeta amerikane “The New York Times”, 28 për qind e votuesve të mundshëm të zgjedhjeve të nëntorit kanë thënë se duhet ta njohin më shumë politikanen kaliforniane.

Ai anketim ka treguar se pritet të ketë një përplasje të ngushtë statistikash – një e përbashkët statistikore që pritet të rezultojë me garë të ngushtë në shtetet e lëkundura që mund të jenë vendimtare për cilindo prej kandidatëve. Fushata e vitit 2024 ka qenë plot me zhvillime të bujshme, por elektorati amerikan është i ndarë fort – megjithëse ngushtë për nga numri i mbështetësve të njëri a kampit tjetër.

Dhe kjo spikat rëndësinë e debatit të së martës mbrëma, ku edhe dallimet më të vogla në humorin e rivalëve mund ta bëjnë dallimin ndërmjet fitores a humbjes së kandidatëve, shkruan BBC.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com