
Ilustrimi: Kallxo.com
Harris do ta certifikojë Trumpin President, katër vjet pas trazirave të Kapitolit
Zëvendëspresidentja demokrate e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris do ta udhëheqë të hënën, më 06.01.2025, certifikimin zyrtar në Kongres të rezultatit të Zgjedhjeve presidenciale të nëntorit 2024 – një garë që e kishte humbur kundrejt rivalit republikan, Donald Trump – ka raportuar transmetuesi britanik BBC.
Kjo datë shënon edhe katërvjetorin e trazirave dhe mësymjes në Kapitolin amerikan, kur mbështetësit e Trumpit u munduan të pamundësonin certifikimin e presidentit demokrat, Joe Biden – pas fitores së Zgjedhjeve në nëntorin e vitit 2020. Kjo është një ceremoni formale.
Por masa të rrepta sigurie janë marrë në Uashington DC dhe presidenti Biden është zotuar se nuk do të ketë përsëritje të dhunës së 06.01.2021, që rezultoi me disa të vdekur.
Dhe derisa kongresistët po mblidhen në Uashington, stuhia e fuqishme e dëborës mund të shkaktojë telashe.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson ka thënë se Ceremonia e Certifikimit në mbrëmje do të mbahet pavarësisht motit të ligë – duke deklaruar për Fox Newsin: “Pavarësisht se a do të ketë acar apo jo, ne do të të jemi në sallë që të sigurohemi që puna të kryhet”.
Si zëvendëspresidente aktuale, Harrisit i kërkohet prej Kushtetutës amerikane që të udhëheqë zyrtarisht certifikimin e rezultatit pasi Trumpi e mposhti atë në Zgjedhjet kombëtare, më 05.11.2024.
Trumpi i fitoi të gjitha – shtatë shtetet e pavendosura, duke e ndihmuar fitoren e tij në Kolegjin zgjedhor – mekanizmi që merr Presidencën. Do të jetë detyrë e Harrisit që të lexojë numrin e votave të Kolegjit zgjedhor, të fituara prej secilit kandidat.
Mandati i dytë i Trumpit do të nisë pas inaugurimit të tij më 20 janar. Për herë të parë prej vitit 2017, partia e Presidentit do ta ketë shumicën edhe në dhomat e Kongresit, megjithëse me një epërsi të ngushtë.
Fitorja e Trumpit shënoi një rikthim të jashtëzakonshëm prej humbjes së tij zgjedhore në vitin 2020 dhe pas dënimit penal më 2024 – i pari për një President aktual ose ish-President amerikan.
Presidenti Biden është zotuar se do të ketë transferim paqësor të pushtetit presidencial.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com