Haradinaj: VV të garojë në zgjedhjet në Shqipëri, por të mos fitojë poena nga të zhvendosurit pas tërmetit

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të mos bëjë keqpërdorimin e personave të ardhura nga Shqipëria, pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit.

Haradinaj në një konferencë për media, ka lutur VV-në që të garojë në zgjedhjet në Shqipëri, por që sipas tij, nuk duhet që kjo parti të i ngatërroj temat.

‘E dimë që në Shqipëri do të ketë zgjedhje së shpejti e që Vetëvendosje e ka në plan me garu në zgjedhjet atje. Por nuk duhet me i perzi temat e punës institucionale”, tha Haradinaj.

“E kisha lut sidomos Vetëvendosjen me garu në zgjedhjet atje por mos t’i përzien temat, pra mos të mendon dikush me fitu poenë më njerëzit e zhvendosur se është rrezik. Le të garojnë le të shtyhen me Edi Ramen, Ilir Meten, Lul Bashen por mos të bëjnë keqpërdorim të të ardhurve dhe mos të sillen në këtë mënyrë se nuk është në rregull”, shtoi ai në një konferencë për media, pasi vendosi lule pranë shtatores së ish-presidentit Ibrahim Rugova,

Më tej, Haradinaj ka lavdëruar punën e bërë nga institucionet kosovare për t’i dalë në ndihmë qytetarëve të prekur nga tërmeti.

Ai tha se gjithë ndihma e kryer është arritur përmes shtabit emergjent.

“Çdo qytetarë të Shqipërisë, çdo bashkëkombës nuk kemi me lënë jashtë pastrehë si ke i prekur si i pa prekur nga tërmeti por nuk është në rregull një zhvendosje pa kriter e njerëzve që nuk vinë nga zona e prekura e vinë në kushte mizërie. Dikush po i mashtron njerëzit, po i mbushin autobusët po i bien në kushte të vështira këtu, është dimër. Unë kam shku katër ditë pas tërmetit, për katër ditë rresht kemi punu ne këtu me kujdestari, ushtarët tanë kanë qenë të parët atje. Kush e ka bë atë, ai shtab e ka bë këtë. Se po lypin shtab të krizës ose shtab emergjent. Mos u tallni me institucionet e juaja. Nuk janë të vërteta fjalët se kush vjen në parkun e Inovacionit në Prizren do të shkojnë në Gjermani”, tha Haradinaj.

“Shkon një këngetare e mush një autobus edhe vjen i leshon midis Prishtine edhe lyp shtab emergjent. Ose shkojnë OJQ-të, mush automjetet e birë këndej. Kadalni duhet me u bë një koordinim, si i ka hije”, shtoi ai.

KALLXO.com ka raportuar të premten dhe të shtunën se një grup i organizatave jo qeveritare në Kosovë po e konsiderojnë urgjente një koordinim qeveritar për situatën e krijuar edhe në Kosovë pas tërmetit shkatërrimtar në Shqipëri.

Mes pesë kërkesave ata kanë kërkuar që të krijohet një Shtab Emergjent.

Tërmeti 6.4 ballësh që goditi Shqipërinë të martën la mbi 50 të vdekur, qindra të lënduar dhe shumë të pastrehë, një pjesë e së cilëve po strehohen në Kosovë.