Foto: KALLXO.com

Haradinaj viziton kompaninë që ndërtoi pa leje dhe kanosi gazetarët

Një udhë e disa punë. Kështu mund të përshkruhet itinerari i kryeministrit të dorëhequr, Ramush Haradinaj, nga Prishtina në Prizren.

Gjatë ditës së sotme, Haradinaj ka marrë pjesë në inaugurimin e një shkolle në fshatin Tërrnje të Suharekës.

Kjo nuk ishte çështja e vetme e tij lidhur me shkollën dhe fillimin e vitit të ri shkollor.

Përmes një postimi në Facebook, ka treguar për regjistrimin e djalit të tij, Gjinit, në gjimnazin privat “Loyola” në Prizren.

Ky veprim i Haradinajt ka ngjallur reagime të ndryshme për faktin se me këtë ai ka anashkaluar sistemin arsimor publik, duke zgjedhur një institucion privat, i cili është goxha i kushtueshëm.

Vizitën në Prizren, Ramush Haradinaj e ka shfrytëzuar edhe për të takuar edhe pronarët e një biznesi të akuzuar për ndërtim pa leje, për pengim të autoriteteve komunale për rrënimin e objektit pa leje dhe për kërcënim ndaj gazetarëve. Për këtë pikën e fundit, në Prizren është ngritur aktakuzë ndaj zyrtarëve të kompanisë.

E Haradinaj ka vizituar pikërisht kompleksin “Abi Çarshia”, një pjesë e të cilit, sipas autoriteteve komunale të Prizrenit, është ndërtuar pa leje.

Aty, kryeministri i dorëhequr është pritur me lule e dhurata nga pronari i kompanisë “Abi”, Irfan Fusha.

Në këtë vizitë, Haradinaj ishte i shoqëruar nga ministri i kabinetit në detyrë, Pal Lekaj, këshilltarë të tij dhe asamblistët e AAK-së në Asamblenë e Prizrenit.

Ditë më parë, Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj 3 personave, duke përfshirë një menaxher të qendrës tregtare “Abi Çarshia”, për kanosje dhe sulm ndaj gazetarëve, rast që ka ndodhur më 19 korrik, kur u bë rrënimi i një pjese të kompleksit, e ndërtuar pa leje.

Aktakuzë ndaj menaxherëve të “ Abi Çarshia “ për kanosje të gazetarëve

Gjatë vizitës, pronari i kompanisë “Abi”, Irfan Fusha i tregoi Haradinajt edhe për pjesën e qendrës tregtare të cilën Inspektorati i Komunës së Prizrenit kishte filluar ta rrënonte.

Prapa dyerve te mbyllura Haradinaj zhvilloi një takim 15-minutësh me pronarët e kompanisë.

Para mediave Haradinaj tha se ka nderin që me familjen Fusha nga Prizreni njihen tash e 20 vite.

“Është e vërtetë që Irfan Fusha dhe kompania ‘Abi’ janë një storje suksesi. Me mbi 700 të punësuar ne prodhim të kompanisë”, tha ai.

Haradinaj shtoi se bëhet fjalë për një kompani të suksesshme. Ndërsa nuk harroi ta përmend edhe moton e fushatës së partisë së tij “100 %”.

“Taksa 100% ndaj produkteve të Serbisë kësaj kompanie i ka dhënë më shumë prodhim”, shtoi Haradinaj.

Pronarët e “Abi”-t e njoftuan Haradinajn me problemet që i hasin në zhvillimin e kompanisë duke përfshirë taksat, por edhe ngjarjet e fundit që kishin të bëjnë me rrënimin e pjesës së objektit pa leje.

Haradinaj tha se Komuna e Prizrenit dhe niveli nacional duhet të gjejnë gjuhë komunikimi me akterët e fuqishëm ekonomikë dhe “duhet të akomodohen planet për rritje sepse kur rriten këta rritet edhe numri i të punësuarve”.

Kallxo.com ka publikuar hulumtimin ku prononcohen akterët kryesorë lidhur me çështjen “Abi Çarshia” duke filluar nga pronari Irfan Fusha, ish-drejtori i Inspektoratit, Nijazi Kryeziu, dhe drejtori aktual Islam Thaçi.

Komuna e pafuqishme karshi objektit pa leje te ‘Abi Çarshia’ – VIDEO

www.kallxo.com