Haradinaj: Veprimi i Kurtit, shkelje e rëndë e Kushtetutës

Ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar të njëanshëm dhe antikushtetues vendimin e Qeverisë Kurti për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve.

“Vendimi i Qeverisë për të ndaluar lirinë e lëvizjes njëanshmërisht është shkelje e rëndë e frymës së Kushtetutës dhe sistemit të balancimit dhe kontrollit”, ka shkruar ai në facebook

Sipas tij ky është një veprim diktatorial i Qeverisë Kurti.

“Edhe në kohë krizash gjëja më e çmueshme e shtetit është demokracia dhe Kushtetuta. Çdo tendencë si kjo e sotshmja që krizat të shfrytëzohen për vendime të njëanshme për të vendosur kontroll, është veprim për diktaturë. Kosova nuk është shtet i diktaturës por i frymës së demokracisë”, ka thënë tutje ai.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të ndalojë qarkullimin e njerëzve dhe automjeteve. Ndalimi i qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve pritet të ndahet në dy kohë të ndryshme. Nga ora 10:00 e mëngjesit deri në ora 16:00 pasdite dhe prej orës 20:00 në mbrëmje deri në ora 06:00 në mëngjes.