Haradinaj: Veprim i palogjikshëm dërgimi i Ligjit për Pagat në Gjykatën Kushtetuese

Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur dyshimet e tij rreth iniciativës së Institucionit të Avokatit të Popullit i cili ditë më parë e ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese Ligjin për Paga në Sektorin Publik.

Haradinaj i ka konsideruar të qëllimshme ‘këto zhagitje’ përderisa ka theksuar se ai i beson Institucionit të Avokatit të Popullit, por një masë e përkohshme për këtë Ligj sipas tij nuk do t’i kontribuonte askujt.

“E kam njëfarë dyshimi që po bëhen me qëllim këto skenarë të vonesave të ligjeve. Nuk duhet me thënë kështu një kryetar Qeverie. Ne i besojmë ligjeve, institucioneve, të gjithave, edhe atij të Avokatit të Popullit, por e kam një dilemë që është pak e qëllimshme kjo zhagitje. Ju e dini sa kanë pritur njerëzit deri te kjo ditë të gjithë të punësuarit në sektorin publik”, tha Haradinaj në një konferencë për media.

Haradinaj e ka konsideruar si ‘tepër të pakuptimtë’ mundësinë që të vonohet zbatimi i këtij ligji, sepse sipas tij ndryshimet mund të bëhen edhe me hyrjen në fuqi të tij.

“Nëse ka ndonjë të metë ky Ligj mund të amendamentohet sikurse çdo ligj tjetër në Kosovë. Nuk e kuptoj pse nuk bën që ky Ligj të fillojë e pastaj aty ku është dëmtuar një palë e caktuar atëherë mund të amendamentohet por që të vonohet zbatimi i Ligjit është e papranueshme prej anës sime. Tepër e pakuptueshme, e panevojshme, diçka që nuk ka logjikë”, theksoi Haradinaj.

Ditë më parë Institucioni i Avokatit të Popullit e ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese Ligjin për Paga në Sektorin Publik.

Avokati i Popullit ka konsideruar se ky Ligj nuk është në pajtim me parimet e sundimit të ligjit, për shkak të mangësive në kuptimin e qartësisë, saktësisë dhe parashikueshmërisë së tij.

Dërgimin e këtij ligji në Kushtetuese e kishte paralajmëruar këshilltari i lartë në Institucionin e Avokatit të Popullit, Burim Tahiri, në emisionin ‘Jeta në Kosovë”.

Ligji i ri i pagave është miratuar këtë vit në Kuvendin e Kosovës, dhe ka hyrë në fuqi që nga 1 dhjetori.

Ndërsa, më 12 shtator ka hyrë në fuqi Ligji për Zyrtarët Publik por me 19 nëntor Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar këtë ligj deri në shkurt të vitit 2020. Ky ligj ka paraparë reformë të thellë të punësimit dhe të avancimit të shërbimit civil të Kosovës.