Haradinaj uron ushtrinë amerikane në 245 vjetorin e krijimit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka uruar ushtrinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në 245 vjetorin e krijimit.

Haradinaj përmes një publikimi në Facebook ka shkruar se Kosova është mirënjohëse për ndihmën dhe mbështetjen në momentet historike.

“Në ketë ditë historike për Shtetet e Bashkuara dhe ushtrinë e saj, përzemërsisht uroj popullin amerikan dhe përfaqësuesit e institucioneve mbrojtëse të ShBA-së për 245-vjetorin e krijimit të ushtrisë amerikane. Shembulli i juaj i sakrificës, trimërisë, përkushtimit dhe atdhedashurisë ishte dhe do të mbetet gjithnjë frymëzim për ne dhe Ushtrinë e Kosovës. Përjetë mirënjohës shërbimit të burrave dhe grave të ushtrisë amerikane, që ndihmuan dhe mbështetën Kosovën dhe popullin e saj në momentet historike dhe më vendimtare, nëpër të cilat kaluam së bashku. Urime ditëlindja! #245 U.S.ARMY”, ka shkruar Haradinaj.