Foto: Ramush Haradinaj, Facebook

Haradinaj tubim me të rinjtë në Suharekë, u premton mbështetje me grante dhe bursa

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës bashkë me partnerët e saj të koalicionit, Nismën Socialdemokrate, Konservatorët, Forumin Intelektual E-30, kanë mbajtur tubim elektoral me rininë në Shirokë të Suharekës.

Kandidati i koalicionit për kryeministër, Ramush Haradinaj, më 05.02.2025 ka thënë se në këtë tubim ka parë vendosmërinë e një gjenerate që di të mendojë, të punojë dhe të ndërtojë.

Sipas tij, këta të rinj janë shembull i asaj që Kosova mund të arrijë.

Ai ka premtuar për rininë mbështetje me grante pa kthim për bizneset e reja.

“Bursa për të gjithë studentët, si në universitetet publike ashtu edhe në ato private. Për përgatitjen e tyre profesionale, 6% e GDP-së do të ndahet për arsim e edukim. Këto janë investime që do të nisin menjëherë pas 9 shkurtit”- ka thënë tutje ai.

Sipas Haradinajt, çelësi i zhvillimit të vendit është i qartë – anëtarësimi direkt në NATO dhe forcimi i aleancës së përhershme me Amerikën.