Haradinaj: Trepça simbol i rëndësishëm i Kosovës
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka vizituar më 20.08.2024 minierën “Trepça” në Stantërg.
Ai u prit nga Kryetari i Sindikatë së Pavarur të Minatorëve të Trepçes, Ibrahim Januzi si dhe nga minatorët.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka shprehur shqetësim për gjendjen në të cilën gjenden minatorët.
“U zotova para tyre se do t’i jem krah në të gjitha kërkesat, sikur sot por edhe nesër në udhëheqje të vendit”- ka shkruar Haradinaj.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj shtoi se “Trepça është vlerë dhe simbol i rëndësishëm i Kosovës”.
Tutje Haradinaj ka shkruar se gjendjen e Trepçës e kishtu trajtuar kështu edhe atëherë kur në Kosovë e kishin besuar pak.
“Kështu e kam trajtuar edhe atëherë kur në Kosovë kishte pak njerëz që besonin se Trepça mund të rikthehej si aset i përhershëm i Republikës sonë. Gjatë mandatit tim si kryeministër i vendit, në mars të vitit 2019, me votimin e Statutit të “Trepçës” e regjistruam atë si kompani në bazë të ligjeve të Kosovës”- ka thënë Ramush Haradinaj.
Haradinaj shtoi se “sot Trepça është duke u ballafaqur me probleme serioze që ndërlidhen me mashtrimin”.
“Trepçës duhet t’i kthehet nami dhe shkëlqimi i dikurshëm, kjo përmes projekteve investive- rivitalizimit të plotë dhe ofrimit të kushteve më të mira për minatorët”- përfundoi Ramush Haradinaj.