Ramush Haradinaj - Kryeministër në dorëheqje

Haradinaj tregon si e la Qeveria e tij Fondin Rezervë pa asnjë cent

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka treguar se ku janë shpenzuar për këtë vit paratë e Fondit Rezervë të buxhetit të Kosovës.

Ai përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se paratë e këtij Fondi për këtë vit janë ndarë për Shqipërinë.

“Këtë vit, ky Fond është shpenzuar pasi që është bërë ndarja e mjeteve për Shqipërinë, pas tërmetit me pasoja tragjike”, ka shkruar Haradinaj.

Ai tutje ka treguar se Fondi Rezervë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, është fond i cili mbulon shpenzimet që nuk kanë linjë buxhetore dhe të cilat nuk janë paraparë fillimisht në buxhetin vjetor financiar.

“Rëndom, në këtë kategori, për një vit financiar ndahen rreth 5 milionë euro, derisa varësisht nga vijueshmëria dhe nevoja, ky fond rimbursohet, pas alokimeve buxhetore, të inicuara nga Ministria e Financave dhe të aprovuara nga Qeveria. Pothuajse në çdo vit, përfshirë këtu edhe vitet kur kanë qeverisur të tjerët, shuma totale e ndarjes qoftë fillestare, qoftë e mëvonshme, kalon mbi 7 milionë euro”, ka shkruar Haradinaj.

Ai tutje ka bërë të ditur se nga ky Fond janë ndarë mjete edhe për t’i ndihmuar fermerët nga vërshimet, për t’i paguar orët shtesë të zjarrfikësve dhe situata të ngjashme, ku është dashur vendim i shpejtë, me miratimin e Qeverisë.

“Arsyeshmërinë, procedurat konform ligjeve të vendit dhe vendimet, i bënë gjithmonë Ministria e Financave dhe Qeveria e Kosovës. Çdo alokim dhe përcaktim është bërë me arsyeshmërinë më të lartë, sipas nevojave dhe në përputhje me ligjin”, ka shkruar Haradinaj në postimin e tij.

Zyrtarë të Ministrisë së Financave në Qeverinë e Kosovës treguan se llogaria e Fondit Rezervë është zero.

“Në qoftë se marrim raportin prej fillimit të vitit e deri më tani, në Fondin Rezervë kanë qenë 6 mijë e 130 euro. Kurse në mbledhjen e fundit të qeverisë, pjesa e mbetur është transferuar në zyrën e kryeministrit dhe tashmë nëse e shohim si Fond, si kategori, ai është zero”, tha Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit në detyrë të Financave në Qeverinë e Kosovës.

Fondi rezervë i Kosovës mbetet pa asnjë cent

www.kallxo.com