Haradinaj tregon çka bisedoi në takimin me Thaçin

Ish kryeministri i Kosovës dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, pas takimit që kishte me Presidentin e vendit, Hashim Thaçin, ka folur para gazetarëve në lidhje me këtë takim.

Haradinaj tha se i ka shpjeguar Thaçit se suksesi i një marrëveshje varet nga temat që trajtohen.

“Në rast se trajtohet territori i Kosovës ose korrigjimi i kufijve, atëherë ky proces ka dështu para se me u nisë, pra do të jetë i dështuar. Në rast se respektohet integriteti territorial i Kosovës dhe Kushtetuta, atëherë ka shanca”, deklaroi Haradinaj.

Sipas tij, ky ishte një takim për informim në lidhje me takimin e presidentit Thaçi, me homologun e tij serb, Vuçiq, në Washington.

Haradinaj tha se nuk kishte ndonjë dokument apo ndonjë gjë konkrete nga ky takim.

“Nuk ka nxjerrë ndonjë dokument por ka dhënë shpjegime që është një mundësi e ecjes më përpara drejtë një marrëveshjeje përfundimtare Kosovë – Serbi. Nuk kishte ndonjë dokument, nuk kishte ndonjë gjë konkrete, specifike. Nuk pat detaje të marrëveshjes”, deklaroi ish kryeministri.

Ai tha se do t’i përgjigjet takimeve bilaterale, si me presidentin ashtu edhe me institucionet tjera të vendit.

Dje, presidenti Thaçi ka ftuar në takim të gjithë liderët e partive parlamentare për takime të ndara gjatë ditës së sotme.

Deri tani, presidenti është takuar me liderin e LDK-së, Isa Mustafa, atë të PDK-së, Kadri Veseli dhe të AAK –së Ramush Haradinaj.

Presidenti Thaçi në takim me Isa Mustafën e Lutfi Hazirin