Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj thirrje Qeverisë t’i rrisë pagat në sektorin publik para 1 janarit 2024

Kreui i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka deklaruar se Qeveria e Kosovës duhet të përmbushë detyrat e saj ndaj të punësuarve në sektorin publik.

Haradinaj i ka bërë thirrje Qeverisë që të bëjë një plan që buxhetin e paraparë për pagat ta rritë për të gjithë sektorin publik.

“Jemi në fillim të majit e zakonisht në qershor përgatitet rishikimi i buxhetit. Pra kemi kohë të mjaftueshme për të gjetur zgjidhje të duhura për çështje të ndryshme. Në këtë vit dinamika është e njëjtë, i vetmi zhvillim i mirë deri sot janë mallrat dhe shërbimet, pra është rritur luksi pushtetar. Ajo që i kisha kërku Qeverisë sot është se në situatën që jemi pra të përmbushë detyrat e veta ndaj të punësuarve në sektorin publik”- deklaroi Haradinaj.

Kreu i AAK-së, kërkoi rritje të pagave për të gjithë sektorin publik.

“Qeveria ka kohë që ua ka hequr rrezikshmërinë ose nuk ju paguan rrezikshmërinë Policisë së Kosovës, ndërsa kur kanë me shku në veri, po, shkojnë. Logjika e tillë mos përfshi rrezikshmërinë është e pakuptimtë. Deri në qershor kërkoj nga qeveria që të bëjë një plan që buxhetin e paraparë për pagat ta rritë”- theksoi ai.

Haradinaj tha se nëse nuk ndodhë rritja e pagave deri më 1 janar 2024, “Qeveria do të mbajë përgjegjësi”.