Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj thirrje Kurtit ta pezullojë zbatimin e vendimit për targat "deri në arritjen e marrëveshjes për njohje të ndërsjellë"

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka komentuar lidhur me mosarritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për targat.

Përmes një reagimi në Facebook, Haradinaj i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që ta pezullojë zbatimin e  vendimit për targat deri në arritjen e marrëveshjes për njohje të ndërsjellë dhe ka bërë thirrje që Parlamenti të thirret urgjentisht në seancë të jashtëzakonshme.

“I bëj thirrje Kryeministrit ta pezullojë zbatimin e  vendimit për targat deri në arritjen e marrëveshjes për njohje të ndërsjellë. I bëj thirrje Kryetarit të Kuvendit që urgjentisht ta thërras Parlamentin në seancë të jashtëzakonshme, që të miratohet Rezoluta e propozuar prej AAK, për tejkalimin e situatës së krijuar” – ka shkruar Haradinaj i cili po ashtu kërkoi nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani që të marrë rol aktiv në qetësimin e situatës dhe në kapërcimin e ngërçit të krijuar.

Kreu i AAK-së u bëri thirrje edhe qytetarëve serbë që të përmbahen nga aktet e dhunës.

“I ftoj të gjithë qytetarët serb që të përmbahen nga aktet e dhunës dhe të mos bien pre e kalkulimeve politike të regjimit në Beograd. Është momenti i fundit që qeveritë në Beograd e në Prishtinë, të ulen e të bien në ujdi për marrëveshjen e paqes për njohje, e të heqin dorë nga veprimet që rrezikojnë jetët e njerëzve!” – përmbylli ai.

Sot Bruksel, për më shumë se pesë orë është mbajtur takimi i përbashkët ndërmjet kryediplomatit evropian, Josep Borrell, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq

Kryediplomati evropian, Josep Borrell tha sot se Bashkimi Evropian ka dhënë një propozim sot i cili është refuzuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe është pranuar nga presidenti serb, Akesandar Vuçiq.

Borrell tutje tha se do t’i njoftojë vendet anëtare të BE-së, për mos respektimin e detyrimeve nga palët, duke shtuar se “kjo vlen veçanërisht për Kosovën.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme Josep Borrell, ka hequr dorë nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kurti tha se Borrell ka hequr dorë nga afati i marsit të vitit 2023 si datë përfundimtare për normalizim të marrëdhënieve mes vendeve.