Ramush Haradinaj - kryeministër i Kosovës

Haradinaj: Tema e copëtimit të vendit duhet të përjashtohet nga dialogu

Në një intervistë për RTV21, kryeministrit në dorëheqje, Ramush Haradinaj ka folur për vazhdimin e dialogut Kosovë- Serbi, për të cilin ka thënë se duhet të kornizohet në përmbajtje.

“Duhet të kornizohet dialogu, edhe në përmbajtje duhet një para kontratë me egzistu, ne shkojmë ta negociojmë një kontratë për njohje reciproke në kufijtë ekzistues mes Kosovës dhe Serbisë dhe për tema të tjera që përfshihen në kuadër të kësaj njohje, pra duhet kontratë kornizë”, ka thënë Haradinaj.

Ai tutje ka thënë se në procesin e dialogut nuk duhet të ndodhë befasi dhe të diskutohet copëtimin e vendit tonë.

“Njëkohësisht një kornizë kohore, për çfarë afati kohor po synojmë të arrihet marrëveshje në një kontratë të ditur, para kontratë. Unë po i kërkoj bashkësisë ndërkombëtare, i kam kërkuar edhe Berlinit zyrtar edhe Quintit, edhe Uashingtonit kornizim të dialogut, nuk mund të shkojmë në një proces të dialogut të paqartë, dhe me na ndodhë befasi me u diskutua copëtimi i vendit tonë, copëtimi ose lëvizja në kufi është agresion territorial, nuk guxojmë me rreziku stabilitetin tonë dhe të arriturat tona të 17 shkurtit 2008 me i rihap, është e pamundur”, është shprehur Haradinaj.

Haradinaj në këtë intervistë ka thënë se në dialog askush nuk duhet të shkoj vetëm pasi që mund të ketë hezitime në përkrahje dhe dakordim të asaj që është negociuar.

“Institucionet e Kosovës përfaqësojnë veten, mund të shkojnë edhe të përkrahura nga shefat e grupeve parlamentare, nga partitë parlamentare, nuk e ndalë askush përfaqësuesin e institucionit, nëse kryetari i qeverisë shkon mund ta marr  me vete si koleg ose bashkë kryesues secilin kryetar të një parie parlamentare. Unë mendoj se askush nuk duhet të shkoj vetëm në dialog arsyeja është shumë e thjesht në fund vijnë 2/3 në parlament, nëse nuk i ke marrë me kohë kryetarët e partive parlamentare ata atëherë munden gjithë me pas hezitime në përkrahje dhe në dakordim të asaj që u negociua”, ka thënë Haradinaj.

Kur është pyetur nëse presidenti i vendit duhet të përjashtohet nga këtu e tutje nga dialogu, Haradinaj është përgjigjur duet thënë se “nuk duhet të përjashtohet askush por duhet të përjashtohen temat e rrezikshme, tema e copëtimit të vendit është temë jo kushtetuese është agresion”.