Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj: Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të përfshihen brenda një sistemi energjetik

Pas konfirmimit nga zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, se Kosova është në prag të finalizimit të marrëveshjes për rrymën në veri, ka reaguar edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht etnisë, duhet të jenë të përfshirë në një sistem unik energjetik dhe t’i respektojnë rregullat e tregut.

Sipas kreut të AAK-së qeveria e tanishme që nga fillimi i mandatit të saj i ka pasur të gjitha mundësitë që të përfshijë qytetarët e veriut në sistemin energjetik të Kosovës, që ata të paguajnë për shërbimet që i gëzojnë.

“…Qeveria e tanishme i ka pasur të gjitha predispozitat që nga fillimi i mandatit të saj, të përfshijë qytetarët e veriut të vendit, në sistemin energjetik të Kosovës, njëherësh që ata të paguajnë për shërbimet që i gëzojnë”, thuhet në postimin e kreut të AAK-së

“Për këto arsye, çdo shtyrje e zbatimit të kësaj normative, jo vetëm që është e vonuar por edhe me kosto të papërballueshme. Çështjet teknike administrative nuk duhet të shndërrohen në probleme politike”, ka shtuar tutje Haradinaj.

Ditë më parë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se ka pasur bisedime me palën turke, me KEDS-in për qasjen në veri të Kosovës. Ai tutje ka shtuar se kanë mbetur vetëm disa detaje teknike.

“Sot kemi pasur bisedime me palën turke, me KEDS-in për qasje në veri të Kosovës. Për këtë jemi marrë vesh kanë mbetur disa detaje teknike dhe besoj që për këto do të pajtohemi dhe të merremi vesh për ditët në vijim”, ka deklaruar Vuçiq.

Takimin mes palës serbe me KEDS-in në Stamboll, për ofrimin e garancive në lidhje me furnizimin dhe pagesën e rrymës në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës e ka pranuar edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Bislimi ka thënë se vetëm Qeveria e Kosovës negocion në emër të Kosovës dhe se takimi i KEDS me palën serbe, ka pasur vetëm objektivin e ofrimit tё garancive pёr katёr shёrbimet e dakorduara nё vitin 2015.

Ai po ashtu ka deklaruar se Kosova është shumë afër finalizimit të dakordimit pёr nisjen e zbatimit tё udhërrëfyesit tё energjisë, përmes të cilit synohet vendosja nё binarё tё problematikёs sё rrymës së shpenzuar dhe jo të faturuar në veri të vendit.

“Kosova ёshtё shumё afёr finalizimit tё dakordimit pёr nisjen e zbatimit tё udhёrrёfyesit tё energjisё, qё synon vendosjen nё binarё tё problematikёs sё furnizimit dhe pagesёs sё energjisё nё katër komunat nё veri tё vendit. Njё problem qё ёshtё krijuar, mirёmbajtur dhe trashёguar tutje nga tё gjitha qeveritё e deritanishme”, ka shkruajtur Bislimi në postimin e tij.

Kujtojmë se që nga paslufta, banorët e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, Leposaviq, Zubin Potok, Mitrovicë e Veriut dhe Zveçan nuk e paguajnë energjinë elektrike të cilën e shpenzojnë.