Haradinaj: Taksa të hiqet vetëm pasi Serbia ta njoh Kosovën shtet

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka takuar zv.asistentin e Sekretarit të Shtetit dhe Përfaqësuesin e Posaçëm për Ballkanin Perëndimor ambasadorin, Mathew Palmer, nga Departamenti i Shtetit, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet politike në vend dhe rajon.

Haradinaj përmes një postimi ka shkruar se Kosova ka treguar maturi në funksionim të demokracisë duke mbajtur zgjedhje të lira dhe me rotacion demokratik të pushtetit.

“Ne kemi konsoliduar demokracinë dhe duhet të njëjtën ta realizojmë çdo ditë. Ambasadorit Palmer i ritheksova se duhet të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse me Serbinë që rezulton me njohje reciproke. Vendimet sovrane të Kosovës siç është tarifa 100% ndaj Serbisë është vendosur për t’u mbrojtur nga politika agresive e shtetit fqinj dhe ajo duhet të hiqet me njohjen e shtetësisë së Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në facebook.

Ai ka shtuar se Kosova në perspektivën euro-atlantike është kandidatja e radhës që të anëtarësohet në NATO./rtv21