Haradinaj: Taksa nuk hiqet, këtë e dinë të gjithë

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka thënë se taksa 100 për qind e vendosur kundër mallrave të Serbisë dhe Bosnjës nuk hiqet pa njohjen e shtetit të Kosovës.

Ai ka thënë po ashtu se zgjedhja e Matthew Palmer si emisar special i SHBA-ve për Ballkanin është një sinjal që ShBA dëshiron ta zgjidhë problemin mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ne e përcjellim angazhimin e Presidentit Trump edhe letrat e Presidentit për Kosovën për Serbinë dhe vërtetë janë inkurajuese. I përcjellim edhe liderët tjerë si Merkel e Macron, pastaj shohim se sekretari Pompeo ka një rol për çështjen e Ballkanit dhe kjo për ne kjo është një porosi e Amerikës se nuk e ka vetëm sipërfaqësisht, pra kjo është një sinjal se janë të gatshëm të hyjnë në problem me u marr me problemin”, ka thënë ai gjatë një konferencë për media.

“Deri tash mendojmë që ka qenë veç me respektu temën, ky emërim është se tash dojnë me u marrë me zgjidhë këtë temë. Ne e mirëpresim”, tha kryetari i AAK-së.

Haradinaj ka folur edhe për taksën 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë. Ai ri përsëriti qëndrimin se taksa nuk do të hiqet deri në njohjen e shtetësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.

“Sa i përket taksës, taksa hiqet me njohje, hiqet pezullohet me njohje, këtë e dinë të gjithë. Serbia mund të vazhdoj të fshihet pas taksës me refuzu dialogun, por pasojat nuk kanë me qenë veç për Kosovën”, tha ai para gazetarëve të mërkurën.