Ramush Haradinaj ne takim me Mattew Palmer Foto: ZKM

Haradinaj takon Matthew Palmerin, flasin për dialogun Kosovë- Serbi

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj është takuar sot gjatë ditës me zëvendësndihmës sekretarin e ShBA-ve, Matthew Palmer.

Haradinaj thotë se caktimi i Palmerit në këtë pozitë është sinjal që rruga e vetme e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është dialogu pa kushte.

Haradinaj ka njoftuar se në takim me Palmer ka theksuar se Kosova është e gatshme për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht obligative me njohje reciproke.

Më poshtë mund ta lexoni njoftimin e plotë të Ramush Haradinajt:

Kosova është e palëkundur në fuqizimin e partneritetit bilateral dhe strategjik, si dhe thellimin e miqësisë së përhershme me ShBA-në. Rikthimi në tavolinën e dialogut pa kushte dhe me afat dhe kornizë të qartë, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është rruga e vetme që dy shtetet i përafron me strukturat euro-atlantike.

Caktimi i Zëvendësndihmës Sekretarit, Matthew Palmer, si i dërguari i posaçëm për këtë temë, nga Departamenti i Shtetit, është sinjal i mbështetjes së vazhdueshme për Kosovën nga ShBA-ja.

Në takim me Palmer, në New York, theksova edhe njëherë se Kosova është e gatshme dhe e përkushtuar për marrëveshjen ligjërisht obligative, përfshi njohjen reciproke në kufijtë ekzistues.