Haradinaj takon anëtarët e HANDIKOS-it

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim anëtarët e Shoqatës së Paraplegjikëve dhe e Paralizës së Fëmijëve të Kosovës, HANDIKOS, me ç’rast ka dëgjuar shqetësimet e tyre.

Sipas një njoftimi për media, Haradinaj ka thënë se Qeverinë e ardhshme e presin shumë për këtë kategori, siç janë zbatimi i Ligjit për statusin dhe të drejtat e personave Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë, miratimi i koncept-dokumentit dhe hartimi i Ligjit gjithëpërfshirës për personat me aftësi të kufizuara, mbështetja dhe rehabilitimi i këtyre personave.

“Kemi një listë të temave që duhet t’i kryejmë bashkë, udhëzime të tjera, akte nënligjore për pajisje ndihmëse dhe rehabilitim për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjikë, zbatimi i ligjit për punësim, planit të veprimit, listës gjithëpërfshirëse, sigurimi i mbështetjes për organizatat, si dhe funksionalizimi i Këshillit Nacional për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara”, ka deklaruara ai.

Kurse, drejtori i HANDIKOS-it, Afrim Maliqi, i tha Haradinajt se kanë të drejtë të kenë qasje, punësim, edukim, të përfshihen dhe të jenë të barabartë me të gjithë qytetarët e vendit, dhe kjo mund të arrihet me një mobilizim jo vetëm të shoqërisë, por të të gjitha institucioneve, në mënyrë që kjo të arrihet.

“Duhet të jemi në hap me kohën, të konkurrojmë me shtetet e rajonit, në mënyrë që të drejtat e personave me aftësi të kufizuara të realizohen në masë sa më të mirë. Jemi përjetësisht mirënjohës, në veçanti për fillimin e zbatimit të Ligjit për të drejtat e personave Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë, i cili e ka ndryshuar jetën e këtyre personave, e ka ngritur mirëqenien e tyre, të cilët sot kanë një jetë më të dinjitetshme sesa kanë pasur para dy vjetëve”, tha drejtori i HANDIKOS.