Haradinaj takon ambasadorin francez, flasin për procesin zgjedhor dhe marrëdhëniet mes dy vendeve

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, më 11.02.2025, është takuar me ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot me të cilin ka diskutuar për mbarëvajtjen e Zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025.

Siç njofton Haradinaj, gjatë këtij takimi kanë diskutuar edhe për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe perspektivën euro-atlantike të Kosovës, me theks të veçantë për antarësimin në NATO.

“Në këtë rrugëtim Franca mbetet një partner i rëndësishëm strategjik. Vlerësova lart angazhimin e Francës për stabilitetin rajonal dhe mbështetjen e vazhdueshme për shtetin tonë. Bashkëpunimi bilateral në shumë fusha ofron mundësi të reja për avancimin e interesave të përbashkëta dhe forcimin e miqësisë së kahershme mes dy popujve.” – ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.

Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë të gjashtat me radhë që janë mbajtur që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2008.

Me 99.17% të votave të numëruara deri në orën 19:10, më 10.02.2025, Vetëvendosje renditet e para me 339,350 vota, apo 40.83%.

Partia Demokratike e Kosovës, sipas këtyre rezultateve, ka marrë 22.15%, apo 184,087 vota. Lidhja Demokratike e Kosovës është e treta deri më tani, me 17.59%, apo 146,241 vota. Kurse, koalicioni AAK-NISMA ka fituar 7.47%, apo 62,066 vota.

Sipas KQZ-së, rezultatet preliminare nuk përfshijnë: votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës.