Ramush Haradinaj dhe Anu Prattipati.

Haradinaj takoi Të ngarkuarën me Punë në Ambasadën amerikane, flasin për Zgjedhjet

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj takoi më 18.02.2025 Të ngarkuarën me Punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati.

Haradinaj tha se bashkëbiseduan për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 9 shkurtit 2025, zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon, “si dhe në forcimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik Kosovë-SHBA”.

Sipas Haradinajt, theksoi qëndrimin për avancimin e vlerave demokratike dhe orientimin euro-atlantik të Kosovës.

“Veçanërisht, rëndësinë e anëtarësimit direkt në NATO përmes Planit Aksional, si rruga më e sigurt për arritjen e objektivave tona strategjike për sigurinë dhe prosperitetin e vendit. Shpreha mirënjohjen time të thellë për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA i ka dhënë Kosovës ndër vite. Ky partneritet i fuqishëm përbën garancinë më të mirë për të ardhmen e sigurt të Kosovës dhe stabilitetin afatgjatë të rajonit.” – ka shkruar Haradinaj, njëherësh kandidat për Kryeministër nga AAK.

Kosova i ka mbajtur Zgjedhjet e rregullta parlamentare më 09.02.2025.

Pas 99% të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje prin me mbi 40% të votave; Partia Demokratike e Kosovës është e dyta, me rreth 22% të votave; Lidhja Demokratike e Kosovës e treta, me 17% të votave, pasuar nga koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, me rreth 7% të votave.