Haradinaj takohet me Të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën Amerikane në Prishtinë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj është takuar me Të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati. 

Haradinaj ka njoftuar se gjatë takimit me Prattipati është diskutuar për zhvillimet aktuale në Kosovë e në rajon dhe për forcimin e parteritetit strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së. 

“Konfirmova edhe një herë qëndrimin tonë të palëkundur për avancimin e vlerave demokratike dhe orientimin euro-atlantik të Kosovës. Bashkëpunimi me SHBA-të mbetet thelbësor për sigurinë dhe prosperitetin e vendit tonë, ndërsa anëtarësimi direkt në NATO përmes Planit Aksional është rruga më e mirë për ta arritur këtë objektiv.” – ka shkruar Haradinaj, të mërkurën, më 15.01.2025. 

Tutje, ai ka falënderuar Prattipatin për mbështetjen e SHBA-ve ndaj Kosovës.

“Ky partneritet i fuqishëm është garanci për të ardhmen e sigurt të Kosovës dhe stabilitetin e rajonit.” – ka thënë ai.