Haradinaj takohet me Lajçak, tregon se çka biseduan

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, njëherësh edhe deputet i këtij subjekti opozitar, tha se ka zhvilluar takim me përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Haradinaj tha se kanë ripërsëritur qëndrimin e tyre për dialogun.

“Ri përsërita qëndrimet tona për dialogun, domosdoshmërinë e rolit strategjik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përkushtimin tonë për një Marrëveshje Gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme, e cila ka epilog njohjen reciproke mes dy vendeve”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social Facebook.

Haradinaj tha se Lajçakun e ka falënderuar për angazhimin e tij dhe të Bashkimit Evropian në këtë proces të rëndësishëm për Kosovën.

Gjatë ditës së sotme, Lajçak ka zhvilluar takim edhe me subjektet e tjera opozitare.

Edhe Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi, ka bërë me dije që Lajçakun e ka njoftuar me qëndrimet e pandryshuara të PDK-së për procesin e dialogut, i cili sipas tij duhet të përmbyllet me marrëveshje finale dhe njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

Krasniqi takon Lajçakun, kërkon që dialogu me Serbinë të mbyllet me njohje reciproke