Foto: Ramush Haradinaj, Facebook

Haradinaj takohet me ambasadorin amerikan, prezanton qëndrimin e AAK-së për marrëveshjen Kosovë -Serbi

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është takuar sot me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit në vend.

Haradinaj ka thënë se në këtë takim ka prezantuar qëndrimin e AAK-së në mbështetje të marrëveshjes Kosovë – Serbi.

“Njëkohësisht prezantova qëndrimin e Aleancës në mbështetje të marrëveshjes Kosovë-Serbi, duke theksuar se kjo marrëveshje i jep njohjen ndërkombëtare Kosovës, rrugëtimin e sigurt drejt integrimit në NATO dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar”- ka thënë Haradinaj.

Ai tutje ka thënë se e ka falënderuar ambasadorin Hovenier për angazhimin e tij dhe të SHBA-së në mbështetje të Kosovës.

“Partneriteti i vendit tonë me ShBA-të është afatgjatë dhe strategjik”- ka shkruar tutje ai.

Propozimi i BE-së, i njohur si Plani franko-gjerman, që Kosovës dhe Serbisë iu dorëzua në shtator 2022, u pranua gjatë takimit të 27 shkurtit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në praninë e ndërmjetësuesve evropianë. Ky propozim titullohet: “Marrëveshja drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Kurti pas takimit ka thënë se ai ka qenë i gatshëm ta nënshkruante Planin e Bashkimit Evropian, i njohur si Plani franko-gjerman, por Vuçiq nuk ka pranuar.

Ndërsa, më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, pritet të zhvillohet një takim trilateral mes kryeministrit Albin Kurti, presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe shefit të diplomacisë evropiane Josep Borrell.