Haradinaj: Sulmet me përmasa agresioni kundër vendit tënd, nuk janë kalkulator për vota
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar lartë punën e institucioneve të sigurisë dhe emergjencave dhe ka “thumbuar” kryeministrin, Albin Kurti, duke thënë se “sulmet me përmasa agresioni kundër vendit nuk janë kalkulator për vota”.
“Situata e krijuar është shumë më serioze se një luftë hibride, apo propagande kundër opozitës, medias e analistëve, siç po provon ta devijojë Kryeministri” – ka shkruar ai, duke iu referuar deklaratave të mbrëmshme të Kurtit, i cili bëri thirrje që qytetarët të refuzojnë të informohen nga disa portale e të mos mendojnë si disa opinionistë e opozitarë.
Haradinaj ka thënë se qëndrojnë afër në mbështetje të Policisë, AKI-së, zjarrfikësve e tërë armatës së emergjencave që punojnë në sanimin e dëmit të shkaktuar në Ibër- Lepenc.
Sikurse Qeveria, edhe ai ka ngritur paralelen se ky sulm është i ngjashëm me agresionin rus ndaj Ukrainës.
“Prandaj sot, përpos dënimit me forcë ndaj këtij sulmi terrorist, gjithë energjitë tona duhet të fokusohen në zbulimin dhe kapjen e kriminelëve dhe në zbardhjen e skenarëve për destabilizimin e Kosovës. Për këtë qëllim e kemi të domosdoshme edhe ndihmën e partnerëve strategjikë të sigurisë, apo një hetim ndërkombëtar” – ka shkruar ai në Facebook, më 30.12.2024.
Sulmin e mbrëmshëm, ai e cilësoi si më barbarin kundër Kosovës në periudhën e pasluftës.
Një shpërthim ka ndodhur më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër- Lepencit në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut. Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë.
Këtë sulm e kanë dënuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Europian.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka njoftuar më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit të shkaktuar, kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e Termocentralit “Kosova B”.
Kryeshefi i Ibër Lepencit, Faruk Mujka ka thënë se besojnë që së shpejti do të bëjnë zgjidhje edhe për ujë të pijshëm.
Për këtë çështje, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orën 1:30 të mëngjesit të sotëm (30.11.2024) ku ka folur për këtë shpërthim.
Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm, me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar. Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.
Të gjitha lajmet rreth situatës pas shpërthimit në kanalin e Ibër Lepencit, mund t’i lexoni në artikullin e mëposhtëm.
Lajm në Zhvillim: Shpërthim në Zubin Potok, dëmtohet kanali i ujit të Ibër-Lepencit