Haradinaj-Stublla thotë se mori përkrahje nga Italia për të siguruar vaksinën anti-COVID

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla ka pritur në takim homologun e saj italian Luigi di Maio, i cili po qëndron në Kosovë për të përshëndetur trupat italiane që shërbejnë në kuadër të KFOR-it.

Sipas njoftimit të ministres, me homologun italian kanë biseduar për situatën aktuale në Kosovë zhvillimet në rajon, si dhe për bashkëpunimin e mirë në shumë fusha mes Kosovës dhe Italisë.

“Mora përkrahjen e Ministrit Di Maio për bashkëpunim të ngushtë me Italinë për mundësinë e sigurimit sa më të shpejtë të vaksinës anti-covid 19 për qytetarët tanë. Ai më premtoi se Italia po punon intensivisht me Komisionin Evropian për të krijuar një linjë të veçantë për sigurimin e vaksinave për shtetet e Ballkanit Perëndimor, në pjesën e parë të vitit 2021”, ka shkruar Haradinaj.

Sipas ministres përkrahja nga Italia nuk ka munguar as gjatë periudhës së pandemisë, ku ndihma nga shteti italian si dhe asistenca e Komandës Italiane të KFOR-it në menaxhimin e situatës kanë qenë thelbësore.

“Gjatë këtij takimi, gjithashtu diskutuam për thellimin e bashkëpunimit në fusha të tjera me rëndësi strategjike, veçanërisht në atë të mbrojtjes, përkrahjes së mëtejme për fuqizimin e rinisë së mrekullueshme të Kosovës”, ka thënë ajo.

20% e vaksinave ani –COVID Kosova pritet t’i marrë falas nga programi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, e cila do të shpërndajë vaksina për vendet e pazhvilluara.

Ndërsa, pjesa tjetër të vaksinave pritet të blihen nga Ministria e Shëndetësisë.

Përdorimi i vaksinës kundër COVID-19 ka filluar të përdoret në Bashkimin Evropian më 27 dhjetor.

Vjosa Osmani kërkon përgjegjësi nga qeveria për “vonesat” në furnizim me vaksinë anti-COVID