Haradinaj-Stublla takon homologun grek, thotë se mori mbështetjen e Greqisë për liberalizimin e vizave

Shefja e diplomacisë kosovare, Meliza Haradinaj- Stublla, ka prit në një takim ministrin e Punëve të Jashtme, Nikos Dendias. Sic ka njoftuar ministrja kosovare e Punëve të Jashtme, nga Dendias ka marrë mbështetje të plotë për liberalizimin e vizave.

Haradinaj-Stublla tha se ministrin grek të Punëve të Jashtme janë biseduar edhe për marrëveshjen e arritur më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë.

“Prita në një takim shumë miqësor dhe produktiv me homologun grek, Ministrin e Jashtëm Nikos Dendias, me të cilin diskutuam tema të rëndësishme për raportet midis dy vendeve, por edhe çështje politike me ndikim në rajon e më gjerë. Ministrit grek Dendias i shpreha përkushtimin e Republikës së Kosovës për të zhvilluar dhe avancuar më tej marrëdhëniet tona, natyrisht me synim që të forcohen raportet në drejtim të aspiratës për njohje”, thuhet në postimin e kryediplomatës kosovare.

“U pajtuam që Marrëveshja e Uashingtonit për Normalizimin Ekonomik me Serbinë e lehtësuar nga SHBA-të dhe Presidenti Trump është një hap i madh drejt zgjidhjes finale me Serbinë. Kjo marrëveshje mbi të gjitha është hap i rëndësishëm për zhvillimin e rajonit, prandaj mbetemi të përkushtuar për të përmbushur të gjitha zotimet tona”, ka shkruar ajo.

Sipas Haradinaj-Stublla, shteti grek ka mirëpritur angazhimet e Kosovës për të arritur marrëveshje me Serbinë.

“Ministri i Jashtëm i Greqisë mirëpriti angazhimin e shtuar të Kosovës për të zgjeruar dhe shfrytëzuar momentumin politik për rajonin dhe për të fuqizuar dialogun ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve tona, në veçanti jetësimin e projekteve energjetike sipas Marrëveshjes së Uashingtonit, që në të ardhmen pritet të jenë edhe një lidhje tjetër e rëndësishme mes Kosovës dhe Greqisë. Ministri poashtu konfirmoi mbështetjen e plotë të Greqisë në jetësimin e liberalizmit të vizave për qytetarët e Kosovës si dhe në përgjithësi për drejtimin eurointegrues të Kosovës”, thuhet në fund të postimit të saj.