Konferenca e AAK-së

Haradinaj-Stublla mirëpret vendimin e PZAP-së për rinumërimin e votave të AAK-së

Kandidatja për deputete nga radhët e AAK-së, Meliza Haradinaj-Stublla, e ka mirëpritur vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për rinumërimin e votave me kusht dhe atyre me postë, të AAK-së.

“Duartrokas vendimin e PZAP-it, për rinumërimin e të gjitha fletëvotimeve me kusht në të gjitha komunat, dhe nga diaspora, për kandidatet e AAK-së. Le të zbardhet njëherë e mirë vullneti qytetar”, ka shkruar ajo në Facebook.

Haradinaj-Stublla ka deklaruar se as ajo dhe as familjarët e bashkëpunëtorët e saj, nuk janë përfshirë në siç i ka quajtur ajo “pretendimet publike” që janë bërë.

“Ky rinumërim është një hap përpara zbardhjes së incizimit të inskenuar që pretendon përfshirjen e bashkëshortit tim në vjedhjen e votave! Përsëris, me bindje të plotë që as UNË, as BASHKËSHORTI, e ASNJË familjar e bashkëpunëtor i imi NUK është përfshirë në asnjë nga pretendimet publike që u bënë e po vazhdojnë të bëhen nga pseudo-portale të caktuara sipas porosive të caktuara, dhe t’i jepet fund shpifjeve, fyerjeve, dhe shantazheve në adresë timen dhe të familjes sime”, thuhet në publikimin e saj.

PZAP-ja e ka pranuar ankesën e kandidates për deputete nga radhët e AAK-së, Florentina Gjergjaj dhe ka urdhëruar KQZ-në që të rinumërojë të gjitha votat me kusht dhe ato nga diaspora, që i ka siguruar në zgjedhje AAK-ja.

“Apeli Anr.581-2021, i paraqitur nga Florentina Gjergjaj kandidate për deputete e AAK, është pranuar dhe është urdhëruar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), që të rinumëron fletëvotimet me kusht në të gjitha Komunat e Kosovës dhe të gjitha fletëvotimet nga diaspora, vetëm sa i përket kandidateve nga radhët e subjektit politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës”, thuhet në njoftimin e PZAP-it.

Kandidatja e AAK-së Florentina Gjergjaj, ditë më parë ka pretenduar se votat për bashkëpartiaken e saj, Meliza Haradinaj- Stublla, janë vjedhur me qëllim që kjo e fundit të bëhet deputete.