Haradinaj sponsorizon njoftimin për emërimet politike në AKI

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj e ka sponsorizuar publikimin e tij në rrjetin social Facebook, përmes të cilit ka njoftuar për emërimet e djeshme në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, dje njoftuan për emërimin e Kreshnik Gashit në pozitën e drejtorit të AKI-së dhe Burim Ramadanit, Inspektor i Përgjithshëm në të njëjtin institucion.

Vendimi i Thaçit e Haradinajt është kritikuar si emërim mbi baza politike.

Kreshnik Gashi ka qenë Sekretar Permanent në Ministrinë e Punëve të Jashtme në kohën kur kjo ministri drejtohej nga Hashim Thaçi. Së fundi, ai ka qenë kryetar i Bordit të Autoritetit Rregullativ për Komunikimet Elektronike dhe Postare.

Ndërsa Burim Ramadani është drejtues i lartë në AAK. Së fundi, ai ka qenë Zëvendësministër i Mbrojtjes dhe kandidat i AAK-së për deputet në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.

Më 6 nëntor të këtij muaji, Shpend Maxhuni dha dorëheqje nga posti i drejtorit të AKI-së pa dhënë ndonjë arsye.

Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit më 19 korrik të këtij viti, përderisa nga zgjedhjet e 6 tetorit nga të cilat më së shumti mori vota Lëvizja Vetëvendosje, ende nuk janë certifikuar rezultatet, të cilat do t’i hapnin rrugë formimit të institucioneve të reja të vendit.

Shoqëria civile në vazhdimësi ka kërkuar nga qeveria në detyrë t’i përmbahet vendimeve madhore për shkak të kompetencave të kufizuara.

Shpend Maxhuni, Drejtor i ri i AKI-së