Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj: Sot prokurorët dhe gjyqtarët u goditën nga kryeministri i shkatërrimit

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vendimit të Qeverisë për miratimin e projektligjit të pagave, duke e ftuar kryeministrin Albin Kurti që t’i kthej pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve në nivelin që kanë qenë.

Përndryshe, Haradinaj tha se mund të shkatërrohet nga brenda njëri prej segmenteve më të rëndësishëm të një shteti – drejtësia.

Sipas liderit të AAK-së, Albin Kurti ka marrë mision “shkatërrimin e shtetit”.

“Pas shkaktimit të rrezikut në veri, ngecjes në dialog dhe prishjes me amerikanët, sot ka vendosur ta shkatërrojë sistemin e drejtësisë. Me vendimin e qeverisë që të shfuqizohet vendimi im për rritjen e pagave për gjyqtarë dhe prokurorë, nga sot drejtësia do të punojë me paga të përgjysmuara. Prokurorët dhe Gjyqtarët që çdo ditë mbrojnë shtetin dhe drejtësinë, sot janë goditur nga Kryeministri i shkatërrimit”- ka shkruar Haradinaj në rrjetin social “Facebook”, të mërkurën.

“Nëse nuk ndalesh pasojat do të jenë të pariparueshme!”- i drejtohet Haradinaj – kryeministrit Albin Kurti.

Në vitin 2017, Qeveria Haradinaj kishte marrë vendim për rritjen e pagës të kryeministrit të asaj kohe, e cila preku automatikisht edhe sistemin e drejtësisë.

Nga 1 mijë e 443 euro sa e kishte, rroga e kryeministrit ishte bërë 2 mijë e 950 euro me vendim të qeverisë.

Më pas, Qeveria Kurti 1 kishte marrë vendim që paga e kryeministrit të zbritej, por jo ato të drejtësisë.