Ramush Haradinaj në Gjakovë, 07.02.2025, Foto: Ramush Haradinaj/Facebook

Haradinaj shprehet i gatshëm për krijimin e një "Qeverie opozitare"

Kandidati për Kryeministër nga koalicioni AAK-NISMA, Ramush Haradinaj, në Konferencën e thirrur për media një ditë pas Zgjedhjeve, është shprehur se është mirënjohës ndaj qytetarëve të cilët votuan Koalicionin e tij, ndërsa garën në këto Zgjedhje e ka konsideruar si të ashpër.

Ai u shpreh i gatshëm për krijimin e një Qeverie opozitare.

Haradinaj e pranoi se nuk është i kënaqur me rezultatin e arritur, mirëpo pas këtij rezultati pritet reflektim nga Aleanca – siç tha ai.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, me 91.47% të votave të numëruara, koalicioni AAK-NISMA-Intelektualët-Konservatorët kanë 7.56% të votave, apo 58 mijë e 307 sosh.

“E pranoj që rezultati nuk është i mirë, pra nuk jam i kënaqur me këtë rezultat dhe gjithsesi do të reflektojmë në këtë rezultat që nuk është i mirë dhe i cili për fat të keq nuk është i mjaftueshëm për me ndihmu Kosovën në këto procese që kemi para vetes.” – tha Haradinaj.

Por, ajo që nuk ndryshon sipas Haradinajt është rrugëtimi për ta formuar një Qeveri opozitare.

“Ne do ta vazhdojmë këtë rrugëtim për me i dhënë Kosovës Qeverinë opozitare, edhe në këto rrethana çfarë jemi.” – tha ai.

Më tej, Haradinaj komentoi edhe rezultatet preliminare deri në kohën kur janë numëruar mbi 90% e votave, ku tha se rezultati për partinë në pushtet Vetëvendosje është një “porosi” për opozitën në Kosovë.

Sipas të dhënave të KQZ-së, me 91.47% të votave të numëruara, deri në orën 12:18, Vetëvendosje renditet e para me 316 mijë e 016 vota, apo 40.96%.

“Partia në pushtet edhe pse pas katër vjetëve e pak qeverisje nuk arriti të mbajë votat e veta, por humbi një numër të konsiderueshme të votave që besoj është një porosi për ne të tjerët, që duhet ta vazhdojmë rrugën për me e ndryshu Qeverinë e vendit.” – tha ndërkaq Haradinaj.

Gjithashtu, ai ripërsëriti edhe njëherë se është i hapur për koalicion me partitë e opozitës, për krijimin e Qeverisë së re.