Haradinaj sërish i bën apel Kurtit të mos e heqë tarifën 100 për qind

Kryetari i AAK-së sërish i ka bërë thirrje Qeverisë Kurti të mos e heqë tarifën 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe boshnjake.

Ramush Haradinaj i ka bërë thirrje publike shefit të Qeverisë, Albin Kurtit dhe partnerëve të tij të koalicionit, të mos e heqë tarifën pa e njohur Serbia Kosovën.

“Pushtetet nuk janë asgjë kur është në pyetje ruajtja dhe mbrojtja e sovranitetit të vendit”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.

Ky është postimi i tij i plotë:

“Kosova nuk ka asnjë garancë se heqja e taksës 100% për produktet e Serbisë e sjellë Marrëveshjen Finale për njohjen reciproke në kufijtë ekzistues.

Sot, Serbia vazhdon të armatoset nga Rusia me pajisjet me të reja ushtarake, ndërsa Qeveria Kurti premton heqjen e taksës duke siguru pushtimin ekonomik të Kosovës nga Serbia.

I bëj thirrje publike Kurtit dhe partnerëve të tij qeverisës që mos të hiqet taksa pa njohje.

Pushtetet nuk janë asgjë kur është në pyetje ruajtja dhe mbrojtja e sovranitetit të vendit.

Tregu vetëm për njohje!”