Haradinaj: Roli i SHBA-ve në dialog është i domosdoshëm dhe i pashmangshëm

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun Kosovë – Serbi, është i domosdoshëm dhe i pashmangshëm.

Këtë, lideri i AAK-së e ka thënë pas takimit me përfaqësuesin e SHBA-ve, Matthew Palmer, i cili sot gjatë ditës po qëndron në Kosovë.

“Në takim ritheksova se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është e vendosur në qëndrimin e saj që roli amerikan në dialog është i domosdoshëm dhe i pashmangshëm për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë që rezulton me njohje reciproke”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë se Kosova ka treguar maturi në funksionim dhe konsolidim të demokracisë, në standardet më të larta dhe është e palëkundur në raportin bilateral dhe strategjik, si dhe me miqësinë e përhershme të SHBA-ve.

“Gjithashtu, ritheksova nevojën e perspektivës euroatlantike të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në NATO. Kosova është me fat që gjendet përkrah Amerikës, shtet që përkrahu çlirimin dhe ndërtimin e shtetësisë tonë, që edhe më tutje është aleati jonë strategjik dhe partneri më i besueshëm”, ka shkruar Haradinaj në ‘Facebook’.

Ndërsa, Matthew Palmer, në një konferencë për media tha se SHBA-të mbështesin fuqishëm dialogun Kosovë – Serbi.

Palmer u shpreh i bindur që njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë do të ndodhë në kuadër të dialogut.

Palmer: SHBA mbështet dialogun, besojmë në njohje reciproke