Foto: KALLXO.com

Haradinaj ripërsërit: Taksa ndaj Serbisë të mbetet deri në njohjen e shtetit të Kosovës

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj ka ripërsëritur se taksa ndaj produkteve serbe duhet të mbetet deri në njohjen e shtetit të Kosovës.

Haradinaj këtë e ka thënë përmes një statusi në Facebook, ku ka shtuar se me taksën janë fuqizuar prodhuesit vendorë , ndërsa Kosova ka treguar se “Serbia nuk mund t’i japë detyra, kurse miqve ndërkombëtarë se nuk i nënshtrohemi shtetit serb”.

“Një vit më parë, Qeveria e Republikës së Kosovës, ka ndërmarrë një prej vendimeve më të guximshme që nga shpallja e pavarësisë, me vendosjen e tarifës prej 100% në mallrat e Serbisë, si masë ndaj fushatës agresive të shtetit serb. Me këtë hap të rëndësishëm, Kosova ka treguar se Serbia nuk mund t’i japë detyra, kurse miqve ndërkombëtarë se nuk i nënshtrohemi shtetit serb. Vendosja e tarifës ndaj mallrave serbe, prej nëntorit të vitit të kaluar, ka ndikuar po ashtu tej mase në fuqizimin e prodhuesve vendor. Në thelb, ky veprim e ka delegjitimuar projektin e ndarjes së Kosovës, që fshihej nën idenë e korrigjimit të kufijve. Kjo masë është dëshmuar strategjike dhe duhet të mbetet deri në njohje të shtetit të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.