Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj rikthen në Kuvend mesazhin e vitit 2005 për 'Komandantët e Bllacës'

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj disa akuzave të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje – Lista Guxo, Haxhi Avdyli duke përsëritur fjalët që pati përdorur shumë vjet më parë në stadiumin e Prishtinës gjatë një fjalimi që kishte mbajtur atë kohë.

Deputeti Haradinaj, këtë deklaratë e bëri pasi deputeti i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Haxhi Avdyli, e kritikoi për dialogun me Serbinë në periudhën kur ai ishte kryeministër.

“Nëse doni të kaloni në rrafshe tjera urdhëroni. Njëherë kam qenë në stadium në Prishtinë e ju kam çuar të fala shumëve, e ashtu ju qoftë të tanëve”, u shpreh Haradinaj.

Në vitin 2005, Haradinaj si kryeministër në një fjalim të mbajtur në Stadiumin e Prishtinës, ishte fishkëllyer nga të pranishmit dhe një moment gjatë fjalimit, Haradinaj është dëgjuar duke thënë “mshelne, komandantë të Bllacës”.

Kjo replike erdhi pasi Avdyli tha se kur Haradinaj ishte kryeministër e kishte kaluar çështjen e dialogut të presidenti.

Ai e cilësoi Haradinajn njeri që ka bërë gjimnastika politike në të kaluarën.

“Për zotrinë Haradinaj kam respekt për veprat e tij në luftë por jo aq respekt për gjimnastikat politike që ka bërë në të kaluarën. Ne në të kaluarën e kemi parë kur kryeministri atëhershëm Haradinaj e dorëzoi dialogun presidentit, i cili dialog shumë pak është bërë për interesa të Kosovës e në të shumtën e herave ka rrëshqit për territore”, tha Avdyli.

Haradinaj ka vazhduar kundër-replikën duke i pyetur edhe nëse është pro për të vazhduar dialogu i “teknikëve” siç u është referuar ai përfaqësuesve të Kosovës në Bruksel apo për të kaluar në njohje.

“Janë shumë si t`i që s’kam respekt për ta. Pesë pare s’i dha për ta. E di çka kanë bë për këtë. Por kam respekt për vend timin dhe fëmijët tua e të gjithëve. Nëse lëvdoheni ti e disa kolegë tuaj se ishin të zotë të katapultoheni nga LDK-ja në VV, bravo ju qoftë. Apo më tregon edhe ti a je për të vazhduar dialogu i teknikëve apo për të kaluar në njohje”, ka thënë Haradinaj.