Haradinaj: Rezultatet e zgjedhjeve i pranojmë, s’do të kërkojmë rinumërim

Lideri i AAK-së dhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka deklaruar se kjo parti i pranon rezultatet preliminare të KQZ-së, duke shtuar se nuk do të bëjnë ankesë në PZAP.

“Në votat e numëruar ne kemi tash mbi 99 mijë që janë 11.54% të votave të KQZ-së, presim që të numërohen votat e diasporës dhe me kusht. Ekziston mundësia që t’i afrohemirreth 100 mijë vota dhe i falënderojmë qytetarët për besimin tonë. AAK e pranon rezultatin zgjedhor ashtu siç është njoftuar dhe nuk kërkojmë rinumërim”, tha Haradinaj në një konferencë për media.

Ai shtoi se nuk do ta bëjnë këtë gjë, pasi sipas tij zgjedhjet ishin demokratike dhe të lira.

“Nuk e kontestojmë rezultatin zgjedhor nëse ndonjë deputet ka ndonjë vërejte e gëzon të drejtën e ankimit por nuk kërkojmë rinumërim, sepse është e padrejtë me dëmtu një ditë kaq të mirë zgjedhore, një sukses kaq të mirë të demokracisë tonë e respektojmë, qytetari s’na ka jepë të drejtën, ja urojmë partive të tjera”, tha Haradinaj tutje.

Ish-kryeministri në detyrë theksoi se do ta mbështesin qeverinë e ardhshme për temat nacionale që ai i ka përkrahur, duke shtuar se nuk do të lidhet për emra as me parti.

“Vazhdojmë mi mbet besnik temave që i kemi listu, një qeveri të ardhshme do ta përkrahim por s’do të bëjmë kompormis me secilën temë. Nëse një qeveri e ardhshme angazhohet për temat që i kemi cekë në do t’i përkrahim, por nëse jo do t’i kundërshtojmë”, tha Haradinaj.

Ndryshe nga AAK, tri partitë PDK, LDK dhe Nisma janë ankuar në PZAP për rezultatet preliminare ku kanë kërkuar rinumërimin e tyre.

Sipas mbi 98 për qind të votave të numëruara në këto zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë  200.953, vota apo 25,51%. Lidhja Demokratike e Kosovës ka 195.534 vota, apo 24,82%, Partia Demokratike e Kosovës ka 167.402, apo 21.25%.

Koalicioni AAK-PSD ka marrë 90.839 vota apo 11,53%. Koalicioni Nisma-AKR-PD vazhdon të mbetet nën pragun e zgjedhor, pasi ka marrë 38.639 vota apo 4.90%.

Rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja te veçanta.

Edhe numri i votave të pavlefshme vazhdon të shënojë rritje. Nga numërimi i 98,47% të votave të deritanishme, 40.290 fletëvotime janë shpallur të pavlefshme nga ana e KQZ-së.

Kërkohet rinumërim i votave të 6 tetorit

www.kallxo.com