Albin Kurti & Ramush Haradinaj Foto: KALLXO.com

Haradinaj reagon ashpër ndaj vendimit të Kurtit që uli pagat që ai i kishte rritur

Ish- kryeministri Ramush Haradinaj i ka reaguar pasardhësit të tij, Albin Kurtit për vendimin e sotëm të Qeverisë që shfuqizon vendimin e dhjetorit të 2017, ku Ramush Haradinaj kishte rritur pagën e tij dhe të vartësve të tij.

Në mbledhjen e se mërkurës, kabineti qeveritar miratoi unanimisht propozimin për t’i ulur pagën kabinetit qeveritar.

Ky vendim përfshinë pagat e 23 pozitave në Qeverinë e Kosovës.

Mirëpo, për shkak të vendimit të Haradinajt, pagat u ishin rritur edhe sistemit të drejtësisë e Gjykatës Kushtetuese.

Ndërsa, Kurti sot u shpreh shkurtimisht se ky vendim nuk do t’i prek pagat e gjyqësorit.

Për ish- Kryeministrin Haradinaj, ky vendim i sotëm është popullist.

“Narrativa mashtruese e sjellë nga rruga, po vazhdon tani në institucione, duke u manifestuar përmes veprimeve populliste të panevojshme, që në realitet nuk sjellin asnjë ndryshim efektiv”, thuhet në reagimin e Ramush Haradinajt.

“Brenda vetëm një javë qeverisëse, u vendos një standard i ri i rrezikshëm dhe jodemokratik i mosrespektimit të Gjykatës Kushtetuese si autoritet përfundimtar i përcaktimit të përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën”, thuhet tutje në reagimin e kryetarit të AAK-së.

Ky është reagimi i plotë i ish kryeministrit Ramush Haradinaj:

Narrativa mashtruese e sjellë nga rruga, po vazhdon tani në institucione, duke u manifestuar përmes veprimeve populliste të panevojshme, që në realitet nuk sjellin asnjë ndryshim efektiv.

I tillë është edhe vendimi për pagat, i cili i subordinohet në plotni Ligjit për Pagat e Sektorit Publik, tashmë të votuar nga Parlamenti i Kosovës, dhe i cili aktualisht gjendet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Ulja e pagave të Kabinetit të sotëm është veprim politik tërësisht i pakuptimtë kur dihet tanimë që brenda pak ditëve pritet aktgjykimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese rreth Ligjit që rregullon jo vetëm pagat e këtij kabineti, por edhe atyre të ardhshëmëve, dhe se pagat edhe për këtë muaj do u dalin të gjithëvë ashtu siç ishin. Mashtrimi ordiner me këtë veprim të sotëm, bëhet për tituj portalesh që të fitojnë ca poena të shpejtë politik, në kurriz të parimit themelor kushtetues të vendit.

Kështu, brenda vetëm një javë qeverisëse, u vendos një standard i ri i rrezikshëm dhe jodemokratik i mosrespektimit të Gjykatës Kushtetuese si autoritet përfundimtar i përcaktimit të përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën.

Qeveria normale do pezullonte të gjitha veprimet (përfshi edhe ato politike) rreth temës, dhe do priste me respekt deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.