Haradinaj: Raporti i DASH vlerëson lart Kosovën në luftën kundër terrorizmit

Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj ka thënë se raporti i Departamentit të Shtetit e ka vlerësuar angazhimin institucional të Kosovës, për të cilin angazhim ka konstatuar se vendi ka shënuar progres në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Haradinaj në lidhje me këtë temë është takuar sot me koordinatorin nacional kundër ekstremizmit dhe terrorizmit, Fatos Makolli.

“Në një takim pune me Koordinatorin Nacional kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit z. Fatos Makolli, me të cilin diskutuam të gjeturat e këtij raporti dhe të cilin e falënderova, duke i dhuruar librin për Skënderbeun, për punën e përkushtimin e tij dhe të institucioneve përcjellëse në këtë fushë. Është e arritur e madhe për Kosovën, që sot vlerësohet në këtë mënyrë, duke u bërë lider rajonal, përkrah aleatëve tanë në krye me ShBA-të, në luftën globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.

Në raportin e DASH thuhet se Kosova vazhdoi të luftojë rrezikun e terrorizmit nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë me Shtetet e Bashkuara. Kosova vazhdon të jetë vend anëtar i Koalicionit Global për Mposhtjen e ISIS-it.

KALLXo.com ka raportuar mbi raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Departamenti Amerikan i Shtetit përgëzon Kosovën në luftën kundër terrorizmit

www.kallxo.com