Haradinaj: Qyqar dhe skajshmërisht i dënueshëm sulmi fizik ndaj Muhaxhirit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar për sulmin fizik ndaj kryetarit të Komunë së Pejës, Gazmend Muhaxhirit.

Haradinaj e ka quajtur qyqar sulmin ndaj Muhaxherit dhe ka kërkuar nga drejtësia që të zbardhë motivet e këtij sulmi.

“Qyqar e skajshmërisht i dënueshëm sulmi fizik mbi kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxherin! Drejtësia, pas arrestimit të sulmuesve, të zbardh motivet e këtij sulmi dhe të jetë e pakompromis në ndëshkimin e tyre! Dhuna të goditet në kokë e dhunuesit të rrinë prapa hekurave. Lehtësues lajmi që Kryetari Muhaxheri është mirë me shëndet!”- ka shkruar Haradinaj, të shtunën, më 26.10.2024.

Muhaxheri, pak kohë pas sulmit, ka shkruar në rrjetin e tij social në Facebook se është në gjendje të mirë shëndetësore.

“Jam shëndosh e mirë”- ka shkruar Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri pak orë pas një sulmi të cilin e pati nga dy persona të dyshuar.

Në rrjetin e tij social Facebook, Muhaxheri ka reaguar se tashmë është në mes të miqve të tij si dhe është mirë me shëndet.

“I rrethuar mes miqve. Pas sulmit te befasishëm, jam shëndoshë e mirë. Ju falënderoj të gjithëve për interesimin”- ka shkruar Muhaxheri deri sa në fotografi shihet në shoqëri të disa personave.

Pas sulmit Gazmend Muhaxheri tregon për gjendjen e tij

Avokati i të parit të Pejës, Dukagjin Kerveshi ka thënë që Muhaxheri është sulmuar nga dy persona derisa ishte duke u larguar nga një lokal në vendin e njohur si “Qendra Zejtare” pasi kishte pirë kafe me një familjar të tij.Kerveshi e ka pershkruar sulmin si të befasishëm.

“Kryetari Muhaxheri tashmë ka dhenë deklaratën në polici dhe se i njejti beson se arsyeja e sulmit lidhet me punën e tij zyrtare” – ka shkruar Kerveshi në profilin e tij në Facebook më 26.10.2024.Ai më tej ka njoftuar se gjendja e kryetarit të Pejës është stabile.“Duke besuar në efikasitetin e organeve të drejtësisë së Republikës së Kosovës presim që sulmuesit të ndiqen penalisht dhe të marrin dënimin e merituar” – ka përfunduar njoftimin i avokatit Kerveshi në Facebook.

Avokati i kryetarit të Pejës: Muhaxheri beson se arsyeja e sulmit lidhet me punën e tij zyrtare

KALLXO.com ka kontaktuar me kabinetin e Muhaxhirit i cili ka konfirmuar rastin duke thënë se tashmë policia po e trajton ngjarjen.Muhaxhiri sipas informacioneve që posedon KALLXO.com dyshohet se u sulmuar fizikisht deri sa po dilte nga një lokal në Pejë.

 

Në anën tjetër Policia në Pejë ka thënë se kryetari Muhaxheri ka marrë edhe lëndime trupore.“Sot rreth orës 08:50, në rrugën Bill Klinton,  është sulmuar nga dy persona të dyshuar Kryetari i Komunës së Pejës i cili ka pësuar lëndime trupore, të dyshuarit janë arrestuar. Me urdhër të Prokurorit te shtetit te dyshuarit ndalohen për 48-ore”, ka thënë Driton Rugova nga Policia në Pejë.Shkodran Nikçi nga Prokuroria në Pejë i ka thënë KALLXO.com se tashmë janë duke u ndërmarrë gjitha veprimet për të zbardhur situatën ndërsa prokurori ka marrë vendim qe te dyshuarit të dërgohen në mbajtje.