Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj: Qeveria Kurti vazhdon të jetë kundër UÇK-së dhe Amerikës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK) Ramush Haradinaj ka folur për politikën e jashtme të Kosovës dhe ka thënë se kushdo që udhëheq me Kosovën nuk duhet të dalë prej themeleve të veta.

Haradinaj ka thënë se në kohën sa LVV ka qenë në opozitë “ia ka lënë fajin UÇK-së se komandantët po e udhëheqin vendin”.

“Vlera e jashtme është NATO e prirë nga Amerika. Kushdo që udhëheqë me Kosovën s’guxon me dalë prej themeleve të veta. Në kohën sa VV ka qenë në opozitë i ka mendu si fajtorë të gjithë të tjerë dhe ia ka lënë fajin UÇK-së se komandantët po e udhëheqin vendin. Në raste të caktume, kanë mendu se ka faj edhe Ibrahim Rugova, e se Amerika ka faj se po i mban në pushtet komandantët”, ka thënë ai.

Sipas Haradinajt po “luftohet UÇK-ja e po vazhdohet me qenë kundër Amerikës”.

“Për fat të keq, sot e kësaj dite, tri vlera janë të rrënuara, luftohet UÇK-ja, kanë mbet peng i asaj kohe. Po vazhdohet me qenë kundër Amerikës, si ndodhë me qenë kundër Amerikës, është tu i harxhu Qeveria Kurti kreditat e atyre që s’janë më në jetë”, ka shtuar tutje ai.

“Jemi duke hargjuar kohën tonë dhe kreditat e krijuar prej atyre që s’janë më në jetë. Qeveria Kurti është duke abuzuar me durimin me pasionin e aleatëve kryesor të sigurisë”, ka shtuar Haradinaj.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë sot gjatë ditës se në muajin maj do ta jetë ne Amerikë për vizitën e tij të parë zyrtare në këtë shtet mik.

“Siç e kam thënë edhe më herët, në muajin maj do të udhëtoj për ShBA për takime zyrtare atje edhe me politikanë dhe diplomatë dhe udhëheqës por gjithashtu edhe me mërgatën tonë, studentë e profesionistë, e komunitetin e biznesit”, tha ai.

Ditë më parë në një intervistë kryeministri Kurti deklaroi se nuk mund të jenë 60 mijë veteranë. Sipas tij janë rreth 20 mijë.

“Nuk ka teori të jenë mbi 20 mijë veteranë të luftës, mund të kenë qenë pjesëmarrës në luftë. Pjesëmarrës ndoshta janë 60 mijë, ndoshta janë edhe më shumë se 60 mijë, por veteranë nuk mund të jenë 60 mijë”, ka thënë Kurti.